Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Sinani: Qeverisja jonë është me shumicë shqiptare, nuk do të kontrollohet nga pushteti i Beogradit

Sinani: Qeverisja jonë është me shumicë shqiptare, nuk do të kontrollohet nga pushteti i Beogradit

Qeverisja e re në Preshevë po zotohet se nuk do të jetë e nënshtruar nga udhëheqja autoritare e Aleksandër Vuçiqit. Katër parti politike shqiptare janë bërë bashkë për të qeverisur në katër vitet e ardhshme, duke siguruar kështu 22 mandate në Kuvendin Komunal. Kryetarja e sapozgjedhur e komunës së Preshevës, Ardita Sinani flet për prioritetet e saj, duke u zotuar se do të jetë bashkëpunuese me opozitën. Ajo pret nga Qeveria e Kosovës bashkëpunim dhe trajtim me prioritet të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi.

Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik është ndër të paktat grua që do të udhëheq në dy vitet e ardhshme me Preshevën.

Mandati nuk iu dorëzua nga ish-kryetari, Shqiprim Arifi, por që thotë se përveç tij, në zyrë munguan edhe gjëra tjera.

“Është fakt që nuk është bërë pranim-dorëzimi, nuk kemi gjetur asgjë në zyrë. Asnjë dokumentacion, asnjë hard-disqet në kompjuter nuk kanë qenë, por e jona është që ne duhet të vazhdojmë reformat. Jemi një qeverisje reformatore dhe jemi një ndër komunat e pakta në Serbi, që kemi marrë një përgjegjësi të qeveriset me një grua”, thotë ajo.

Sinani tregon se për tre muaj në një drejtori është shpenzuar 85 për qind e buxhetit, duke shtuar se do të vazhdojnë hetimet.

“Aty ku dyshohet për keqpërdorime, sidomos tek drejtoria e Fondit për Punë Komunale dhe Banesore, mjetet e parapara që kanë qenë për tërë vitin, për dy muaj apo tre muaj janë harxhuar diku 85 për qind të mjeteve të parapara. Ne si qeverisje e re duhet të kontraktojmë, revizorë të jashtëm, revizorë të brendshëm për të hetuar punën aty ku po dyshojmë për këto keqpërdorime. Kjo do të jetë një reformë kryesore”, shton ajo.

Pavarësisht akuzave që kanë pasur për njëri-tjetrin, Sinani thotë se do i ofrojë bashkëpunim Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe, por që nuk do të merret me akuzat që ka pasur ish-krye tari.


E pa zhvilluar socio-ekonomikisht dhe e shtypur politikisht, Ardita Sinani po premton shumë për Luginën e Preshevës.

“Qeverisja jonë është me shumicë shqiptare, është një ndër komunat e pakta në vend që nuk kontrollohet nga pushteti qendror në Beograd… (03:18) Gjendja aktuale është shumë e keqe. Për momentin jam duke bërë konsultat me drejtorët e institucionit. Qysh mbledhjen e parë që do ta kem me anëtarët e Këshillit Komunal do të shohim për dyshimet që i kemi për keq-menaxhim të buxhetit dhe mjeteve të taksa-paguesve tonë”, shprehet ajo.

Ajo rendit prioritetet e qeverisjes, por në theks të veçantë ka furnizimin me ujë të pijshëm dhe menaxhimin e mbeturinave.

“Prioritet tona gjatë këtij mandati qeverisës për Komunën e Preshevës janë reformat e brendshme, modernizimi i qeverisjes lokale të bazuara në prioritet themeltare. Bujqësia dhe blegtoria do të kenë një qasje shumë serioze, përmes së cilës synojmë të rrisim punësimin dhe të arrijmë një zhvillim. Po ashtu kemi prioritet një administratë për të gjithë. Një administratë që qeveris në mënyrë transparente, me digjitalizim të shërbimeve për të ofruar shërbime azhure për të gjithë qytetarët. Si prioriteti kryesore me çka përballen qytetarët e komunës së Preshevës është furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i mbeturinave për të gjitha lokalitetet e komunës”, deklaron ajo për KosovaPress.

Ajo pret nga Qeveria e Kosovës bashkëpunim, meqë thotë se është domosdoshmëri e kohës. Teksa përmend dialogun me Serbinë, shton se lugina duhet të trajtohet me prioritet në tryezën e bisedimeve.

“Në këtë fazë shumë të rëndësishme të dialogut Kosovë-Serbi është jetike dhe domosdoshmëri e kohës dhe për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkan, Lugina e Preshevës të trajtohet me prioritet në tryezën e bisedimeve. Është kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politik shqiptar të Luginës së Preshevës. Është jetike dhe duhet të koordinohemi mirë me Prishtinën zyrtare për të harmonizuar qëndrimet tona dhe kërkesat tona. Po ashtu, kërkojmë fuqishëm që një nga prioritet e qeverisë të jetë Lugina e Preshevës dhe të jetë e shtruar në tryezën e bisedimeve”, njofton ajo.

Në dy vitet pasuese pas Ardita Sinanit do të udhëheq me Preshevën, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 28 marsit, Alternativa për Ndryshim kishte dalë fituese e zgjedhjeve, por nuk arriti që të sigurojë 20 mandatet në Kuvendin Komunal.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: