Simitçiu: Ndeshjen e humbëm nga gabimet tona

Simitçiu: Ndeshjen e humbëm nga gabimet tona

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje kundër Uzbekistanit me rezultat 6:3, përballje kjo e vlefshme për turneun kontinental të futsallit që po zhvillohet në Tajlandë.

“Dardanët” nuk treguan paraqitje të mirë ku falë gabimeve të tyre, ka ardhur edhe humbja, e këtë gjë e tha edhe trajneri i Kosovës Arben Simitçiu, përcjell KosovaPress.

Simitçiu tha që lojtarët e tij nuk u treguan të vëmendshëm pasi që ishin të motivuar tepër.


“Për fat të keq lojën e humbëm prej gabimeve tona. Kemi qenë të përgatitur për kundërshtarin deri në detajet më të vogla, por ndoshta nga motivimi i tepërt, bëmë gabime shumë të lehta në fillim të lojës. Pastaj rikthyem lojën prej 0:2 në 2:3. Por, kur menduam se në fillimin e pjesës së dytë do të fokusohemi edhe më shumë, na ndodhi prapë një gabim që na kushtoi me gol. Mund të them që sot ia dhuruam kundërshtarit fitoren me gabimet tona, të cilat uzbekët i shfrytëzuan maksimalisht. Nervozizmi nga gabimet e përsëritura na bëri që mos t’i shfrytëzojmë dhjetëra raste e prej atyre qëlluam tri herë shtyllën. Gjithsesi, duhet ta kemi parasysh se Uzbekistani është Kombëtarja ‘Top 4’ e Azisë”, tha Simitçiu.

Ai tha se do t’i analizojë gabimet e ndeshjes së sotme, në mënyrë që ato të  mos përsëriten në ndeshjen kundër Tajlandës.

“Sonte do ta analizojmë lojën dhe do t’i shohim gabimet, në mënyrë që të mos i përsërisim në ndeshjen e radhës. Formati i turneut me lojë çdo ditë nuk na jep mundësi për të menduar shume për këtë humbje. Shpresoj se nesër lojtarët tanë do ta bëjnë maksimumin tonë ndaj nikoqirëve të Tajlandës, të cilët janë një nga favoritët e turneut”, shtoi Simitçiu.

Kosova nesër do ta zhvillojë ndeshjen e radhës kundër nikoqires së kësaj gare Tajlandës, e cila llogaritet ndër favoritët e këtij turneu.

Video