Si u bë operacioni i spastrimit nga ushtarët rusë në qytetin Bucha

Si u bë operacioni i spastrimit nga ushtarët rusë në qytetin Bucha

Ishte një mëngjes gri dhe i ftohtë, data 4 mars, në Bucha të Ukrainës. Deri në mbrëmje, të paktën nëntë persona do të përshkonin rrugëtimin e vdekjes drejt godinës nr 144 në rrugën Yablunska, objekt të cilin rusët e kishin shndërruar në një tjetër epiqendër të dhunës që do të trondiste mbarë botën.

Ajo çfarë ndodhi atë ditë në Bucha, quhej nga ushtarët rusë “zachitska” gjatë telefonatave të regjistruara – fjala do të thotë spastrim. Ushtarët rusë kapnin persona emrat e të cilëve gjendeshin në lista të përgatitura nga shërbimet e tyre të zbulimit, si dhe shkonin derë më derë për të identifikuar dhe vrarë personat që konsideroheshin me rrezikshmëri.

Vetëm përgjatë rrugës Yablunska, policia ukrainase gjeti rreth 40 kufoma. Prokurorët kanë arritur të identifikojnë deri më tani 12 prej tyre. Gazetarët e AP-së dokumentuan një trup të 13-të në shkallët e njërës prej godinave të kompleksit, me filmime dhe fotografi të marra më 3 prill.

Në kuadrin e një investigimi të përbashkët, agjensia e lajmeve Associated Press dhe emisioni “Frontline” shqyrtuan qindra orë filmime nga kamerat e survejimit në Bucha dhe verifikuan regjistrimet e telefonatave nga ushtarët rusë në bashkëpunim me Qendrën Dossier, një organizatë investigative me seli në Londër. Gjithashtu, kompania nga Nju Jorku SITU Research, rindërtoi rrjedhën e ngjarjeve duke përdorur një model tre dimensional të qytetit Bucha.

Në 3 mars, një autokolonë ruse që dukej se nuk kishte fund arriti në Bucha përgjatë shinave të trenit. U dha urdhëri për evakuim. Në kaosin e krijuar gjatë përparimit të forcave ruse, tetë vullnetarë ukrainas u veçuan nga të tjerët. Ata u fshehën në një shtëpi me tulla aty pranë dhe dëgjonin në heshtje kërcitjet e armëve dhe lëvizjen e tankeve ruse.

Rreth orës 10 të mëngjesit të ditës tjetër, vullnetari Andrii Dvornikov i telefonoi gruas së tij, Yulia Trubas, dhe i tha që të fshinte të gjitha gjurmët e komunikimit me njëri-tjetrin. Pak më vonë, ushtarët rusë thyen derën e shtëpisë dhe morën nëntë persona me vete, duke i akuzuar se po ndihmonin ushtrinë e Ukrainës. Dy ushtarë rusë i drejtuan burrat nën kërcënimin e armëve në rrugën e lagësht dhe të akullt për në adresën 144 Yablunska, duke i sharë ndërsa ata lëviznin me këmbët e mbathura vetëm me çorape. Ushtarët i detyruan të gjunjëzoheshin. Më pas, shoferi i taksisë Ivan Skyba pa se si ngritën personin që qëndronte pranë tij dhe e qëlluan me plumb në kokë.

Gjatë orëve në vazhdim, ushtarët rusë dërguan gjithnjë e më shumë persona drejt godinës në rrugën Yablunska, përfshirë 20-vjeçarin Dmytro Chaplyhin, një punonjës dyqani me fytyrë fëminore, të cilin të gjithë e quanin Dima. Ndërsa ushtarët e morën Dimën, gjyshja e tij, Natalia Vlasenko, ra në gjunjë dhe iu lut më kot që të mos e preknin. “Gjyshe, mos u shqetëso!”, thirri Dima, ndërsa u nis me ushtarët drejt godinës 144 në rrugën Yablunska. “Do të kthehem!” Kjo ishte hera e fundit që ajo e pa të gjallë.


Kur rusët morën Iryna Volynetsën në rrugën Yablunska, ajo njohu një nga burrat e rreshtuar në rrugë si shokun e saj të vjetër të shkollës, Andrii Verbovyin. Ai qëndronte i rrëzuar mënjanë dhe i rridhte gjak. Ajo vuri se ai po dridhej dhe u panë sy më sy. E tronditur, zonja Volynets nuk e vuri re menjëherë se djali i saj, Slava, ishte gjithashtu i gjunjëzuar në po atë rrjesht. Më në fund, ajo e njohu nga xhaketa dhe pantallonat. Ai kishte marrë një goditje në brinjë dhe po merrte frymë rëndë.

Ajo ishte në panik dhe donte me dëshpërim të negocionte për lirimin e të birit. Rusët sollën një djalë të ri për ta parë më nga afër. “A është ky?” e pyetën ata. “Jo, jo ky”, u përgjigj i riu. Sllava jetoi. Rusët lejuan shumicën e civilëve të iknin atë ditë, por jo vullnetarët.

Skyba u godit aq fort në fytyrë, saqë i ranë dhëmbët. Vetullat e tij u çanë dhe gjaku iu derdh përmbi fytyrë. Rusët ia lidhën duart pas shpine, i vunë një kovë mbi kokë dhe e gjunjëzuan pas një muri. E goditën në kokë derisa humbi ndjenjat. “Çfarë duhet të bëjmë me këta?”, Skyba dëgjoi një rus të thotë. “Vritini”, u përgjigj një tjetër. “Por largojini së pari që të mos dergjen këtu”. Ushtarët rusë i çuan vullnetarët në një oborr të vogël aty pranë, ku gjendej tashmë një trup i pajetë. Në vazhdim, dy ushtarë filluan të qëllonin.

Skyba ndjeu një plumb që e shpoi anash dhe u përplas në tokë. Ai bëri sikur kishte vdekur, ndërsa kishte frikë se rusët do të vinin re avullin nga frymëmarrja e tij. “Po prisja errësirën”, tregon ai. “E tmerrshme … nuk mund ta shpjegoj … Thjesht e tmerrshme”.

Pasi heshti, Skyba liroi kyçet e duarve nga shiriti që i lidhte, u zvarrit përmes kufomave të shokëve të tij dhe mori çizmet nga trupi i të vetmit prej tyre që i mbante ende veshur. Ai vrapoi drejt një shtëpie ngjitur. Pastaj dëgjoi zëra. Ishin rusët. “A është dikush këtu në shtëpi?”, thirri njëri prej tyre. Skyba bëri sikur ishte i zoti i shtëpisë. Duke besuar se ai ishte një civil i plagosur, ushtarët e kthyen atë sërish tek godina në 144 Yablunska, këtë herë për trajtim mjekësor, tha Skyba. E çuan në bodrum, ku mbaheshin më shumë se 100 persona.

Për tre ditët në vazhdim, Skyba u mbajt atje, pa i treguar askujt për plagën e tij nga plumbi. I vetmi tualet që ekzistonte ishte i prishur. Fëmijët qanin. Të rriturit luteshin.

Më 7 mars, Skyba dhe të tjerët u lejuan të largoheshin nga bodrumi. Të gjithë të tjerët që ishin kapur me të, përveç atij që u dha informacion rusëve, ishin të vdekur. Ai mori syzet e tij, të cilat i kishin rënë pranë një trupi dhe doli jashtë. Ushtarët rusë u treguan familjeve të tyre në telefonata për masakrën. Një ushtar i quajtur Maksym i tha gruas së tij më 21 mars: “Mendoj se po çmendem. Unë tashmë kam vrarë kaq shumë civilë”. Tashmë familjet e qytetit Bucha presin një drejtësi që mund të vijë ose jo. Gruaja e zotit Dvornikov, Truba, së bashku me Skyban dhe të afërmit e dy personave të tjerë të vrarë në rrugën Yablunska, kanë ngritur një padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “E gjithë bota e civilizuar duhet të pranojë se ishin vrasje”, tha ajo. “Dua të vërtetoj se nuk janë gënjeshtra dhe se me të vërtetë kanë ndodhur”./VOA

Lexo edhe

Video