Në një botë ku flitet gjithnjë e më shumë për shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut, koncepti i triglicerideve shpesh shfaqet si një nga temat kryesore.
Trigliceridet janë një lloj yndyre që qarkullon në gjak dhe shërbejnë si një rezervë energjie.
Nivelet e larta të triglicerideve në gjak shoqërohen me një rrezik të shtuar të sëmundjeve të zemrës.
Studimet kanë treguar se edhe humbja e moderuar e peshës mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në nivelet e triglicerideve.Është veçanërisht e rëndësishme t'i kushtohet vëmendje marrjes së sheqerit dhe karbohidrateve. Hulumtimet kanë treguar se njerëzit, dieta e të cilëve përmban 25 për qind sheqer, kanë dy herë më shumë rrezik nga sëmundjet e zemrës në krahasim me ata, dieta e të cilëve përmban vetëm 10 për qind sheqer.
Është interesante se edhe një ndryshim i thjeshtë si zëvendësimi i pijeve me sheqer me ujë mund të çojë në një rënie të konsiderueshme të triglicerideve – deri në 29 mg/dL (0.33 mmol/L). Kjo na tregon se si ndryshimet e vogla në jetën tonë të përditshme mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin tonë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe mënyra se si e përgatisim ushqimin. Shmangia e yndyrave trans, të cilat shpesh gjenden në ushqimet e skuqura dhe të pjekura, mund të ndihmojë në kontrollin e triglicerideve.
Hulumtimet kanë treguar se edhe konsumimi i moderuar i alkoolit mund të rrisë nivelet e triglicerideve 53 për qind, ndërsa arrat mund të jenë aleatë të dobishëm në luftën kundër triglicerideve të larta, falë fibrave dhe përmbajtjes së yndyrës së shëndetshme.
Kontrolli i triglicerideve nuk është vetëm çështje numrash në testin laboratorik – është rruga për një zemër më të shëndetshme dhe një cilësi më të mirë të jetës. Duke kombinuar një dietë të zgjuar, aktivitet të rregullt fizik dhe përzgjedhje të kujdesshme të ushqimeve, mund të ndikojmë ndjeshëm në nivelin e triglicerideve në gjak.