Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Si ta kërkoni dhe ta merrni pushimin nga puna?

Si ta kërkoni dhe ta merrni pushimin nga puna?

Hezitimi për ta kërkuar pushimin është pjesë e shumë punonjësve. Punonjësit shpesh ndihen në faj qe ju duhet të kërkojnë pushim nga puna. Një studim i “Priceline” tregon që një në tre punonjës nuk e shfrytëzojnë mundësinë e shfrytëzimit të pushimit që kanë çdo vit. Ndërsa, sipas një studimi tjetër mbi 70 për qind e punonjësve ndihen aq fajtorë sa që e kontrollojnë punën e tyre gjatë gjithë kohës, edhe kur janë jashtë vendit të punës.

Pushimi vjetor sipas Ligjit të Punës në Kosovë

Sipas Ligjit të Punës në Kosovë, i punësuari gjatë çdo viti kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së paku katër javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar. Zgjatja e pushimit vjetor përcaktohet nga përvoja e punës, ku për çdo pesë vite përvojë, shtohet një ditë pune.

“I punësuari i cili punon në punët dhe detyrat e punës për të cilat përkundër aplikimit të masave mbrojtëse nuk mund të mbrohet nga ndikimet e dëmshme, ka të drejtë në pushim vjetor në kohëzgjatje së paku prej tridhjetë (30) ditësh pune, për vitin kalendarik”, përcaktohet në ligjin e punës.

Ndërsa, nënat me fëmijë deri në tre vjeç si dhe prindi vetushqyes dhe personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtë në pushim vjetor edhe për dy ditë pune shtesë.

Për punonjësit që për herë të parë janë bërë pjesë në tregun e punës dhe tashmë ka një marrëdhënie pune dhe nuk ka ndërprerje më tepër se pesë ditë pune, fiton të drejtën për shfrytëzimin e pushimit vjetor pas gjashtë muajsh të punës së pandërprerë, në proporcion me muajt e punuar.

Kur mund ta merrni këtë pushim sipas Ligjit të Punës?

Në nenin 37 të këtij ligji thuhet se orarin e shfrytëzimit të pushimit vjetor e përcakton punëdhënësi në marrëveshje me punonjësin, në pajtim me ligjin, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe kontratën e punës.

Ndërsa, në lidhje me atë se kur duhet të njoftohet punëdhënësi për pushimin, i punësuari duhet ta njoftojë punëdhënësin me së paku pesëmbëdhjetë ditë para fillimit të shfrytëzimit të pushimit vjetor.

“Me rastin e lejimit të pushimit vjetor, punonjësit i lëshohet vendim për orarin dhe kohëzgjatjen e pushimit vjetor më së paku pesë (5) ditë para fillimit të shfrytëzimit të pushimit vjetor”.

Por, Ligji i Punës në Kosovë, e parasheh që pushimi vjetor të merret edhe në 2 apo më shumë pjesë, por gjithmonë në marrëveshje me punëdhënësin.

Në qoftë se i punësuari e shfrytëzon në dy apo më shumë pjesë pushimin vjetor, pjesa kryesore duhet të shfrytëzohet për së paku dhjetë ditë pune të pandërprera gjatë një  vitit kalendarik. Pjesa tjetër e pushimit të pashfrytëzuar duhet të shfrytëzohet jo më vonë se 30 qershor të vitit të ardhshëm kalendarik.

Mungesa të tjera me pagesë që parashihen me këtë ligj janë edhe; 5 ditë në rast të martesës së vetë punonjësit, 5 në rastet e vdekjes së ndonjë anëtari të ngushtë të familjes, 3 ditë për lindjen e fëmijës dhe një ditë për çdo rast të dhënies vullnetare të gjakut. Rastet e tjera të mungesës me pagesë përcaktohen sipas kontratës kolektive, aktit të brendshëm dhe kontratës së punës.

Mënyra më e mirë për ta kërkuar pushimin

Mund të jetë e vështirë ta bëni këtë edhe kur e keni atë të drejtë. Prandaj, Akademi Pune ju ndihmon për të mos u ndier fajtor, por me anë të këtyre hapave ta bëjë të mundshme që menaxheri ta aprovojë kërkesën për ditë të lira nga puna.

Planifikoni kohën më të mirë për ta pyetur shefin

Koha është çelësi për ta “fituar” pushimin. Bëni kërkesat kur shefi juaj është më i pranueshëm! Mos i bëni ato kur ka krizë në punë apo kur vëllimi i punës është i jo i zakonshëm! Shmangni periudhat stresuese të ditës, javës ose muajit!

Kur ta kuptoni që po ju nevojitet pushim, njoftimi i menaxherit paraprakisht do ta lehtësojë këtë. Për shembull, nëse punoni në një ambient të punës, jo shumë zyrtar mund ta kërkoni shefin, apo t’ia tregoni kërkesën me email. Ndërsa, në një mjedis më zyrtar duhet ta caktoni një takim për të diskutuar rreth kërkesës tuaj!

Siguroni kontekstin

Nëse orari i punës së kompanisë bie ndesh me kërkesën për pushim, sigurohuni që ta shpjegoni!

Shembull: E di që qershori (ose dhjetori) për kompaninë tonë është fundvit, por motra ime do të martohet në ditën e 15 të këtij muaji dhe do të doja shumë që t’i gjendesha pranë gjatë kësaj kohe!


Planifikoni kohën tuaj nëse është e mundur

Është ideale për ta pasur paraprakisht një plan vjetor të pushimeve dhe për të ta bëni me dije edhe shefin. Kjo do t’ju ndihmojë, po ashtu sa herë që është e mundur të mos planifikoni projekte afër kohërave të tilla.

Bëjeni kërkesën me shkrim

Pasi ta keni përmendur fillimisht me gojë, bëjeni atë kërkesë edhe me shkrim, kështu që do të keni të dokumentuar kur të vijë koha e pushimit. Një email për menaxherin tuaj është i mjaftueshëm si dhe një kopje për dikë tjetër që duhet të jetë në dijeni.

Subject: Agon Krasniqi – Kërkesë për pushim

Përshëndetje Vlora,

Do ta vlerësoja shumë nëse do të mund t’i merrja disa ditë të lira, gjatë pushimit pranveror të fëmijë të mi. Datat janë 1-7 prill.

Nëse miratohet, do të jem në gjendje të merrem me projektet me të cilat po punoj aktualisht dhe të përfundoj çdo punë tjetër që duhet pas kthimit tim.

Faleminderit shumë për vlerësimin tuaj,

Agoni

Mos bëni plane përpara se të merrni leje

Duke qenë se koha e pushimeve merret në pajtim me punëdhënësin atëherë nuk është asgjë e sigurtë. Shmangni deklarimin e planeve tuaja të pushimeve si një punë të përfunduar para se të merrni aprovimin nga mbikëqyrësit tuaj!

Thuaj: Do të doja t’i kaloja dy javët e fundit në …….. A mendoni që do të ishte e mundur?

Mos thuaj: Kam rezervuar një hotel për disa ditë në bregdet dhe duhet të marr pushim.

Ndihmoni në planifikimin e radhës së punës

Paraqisni një plan sesi mund të trajtohen përgjegjësitë tuaja në mungesë! Flisni me menaxherin tuaj se si do të mbulohet puna juaj në mungesë pasi të aprovohet kërkesa juaj.

Shembull: Dy kolegët e mi të zyrës do të jenë këtu javën në të cilën do të doja të kisha pushim dhe kam biseduar me ta që të merren me çdo klient që mund të vijë.

Informoni të gjithë që duhet

Sigurohuni që askush në kompani të mos merr ankesa gjatë mungesës tuaj! Informoni të gjithë ata që keni punë, madje edhe klientët që nuk do të jeni në punë, por do të jenë bashkëpunëtorët ata që do të mund t’i plotësojnë kërkesat e mundshme! Ky planifikim i detajuar do ta bëjë më të lehtë që të merrni pushim kurdo që të jetë e mundur herën tjetër.

Mos u frikësoni të kërkoni pushimin tuaj

Pavarësisht nga rrethanat, mos kini frikë të kërkoni pushim! Studimet tregojnë se koha e lirë nga puna rrit produktivitetin dhe kreativitetin, si dhe përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik. Me pak fjalë, marrja e pushimeve mund të jetë gjëja më e mirë që bëni ndonjëherë për karrierën tuaj, por edhe kompaninë.

Lexo edhe

Video

error: