Si ndikon fëmijëria në suksesin e mëvonshëm të njerëzve?

Si ndikon fëmijëria në suksesin e mëvonshëm të njerëzve?

Pyetjes “pse disa nga miqtë e mi janë të suksesshëm në jetë, ndërsa unë nuk jam”, mbase i keni dhënë përgjigje të ndryshme. Përgjigje të shpejta, disa të qëlluara e disa jo. Kjo mbase ju ka shqetësuar gjatë gjithë kohës, duke u munduar të gjeni mënyra për t’i “arritur” ata. Por, ka një mori arsyesh që ndikojnë në suksesin e njerëzve, e shumica prej tyre zanafillën e kanë gjatë fëmijërisë.

Fëmijëria, mund të duket periudhë e pafajshme e jetës, që harrohet shpejt dhe nuk çon peshë gjatë rritjes dhe pjekurisë tonë, por studimet tregojnë ndryshe.

Studiuesit nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Universiteti Duke, pas një studimi 20 vjeçar, gjetën një lidhje të rëndësishme midis aftësive të tyre sociale si fëmijë dhe suksesit të tyre si të rritur dy dekada më vonë.

Ky studim, tregoi se fëmijët me aftësi shoqërore, të cilët mund të bashkëpunonin me bashkëmoshatarët e tyre, të ishin të dobishëm për të tjerët, të kuptonin ndjenjat e tyre dhe t’i zgjidhnin vetë problemet, kishin shumë më shumë gjasa të fitonin një diplomë kolegji dhe të kishin një punë me kohë të plotë deri në moshën 25 vjeçare, sesa ata me aftësi të kufizuara sociale.

Se fëmijëria ndikon në suksesin e mëvonshëm të qenieve njerëzore, e pohon edhe psikologja, Adela Bajrami Ibrahimi për Akademi Pune

“Zhvillimi i fëmijëve është një proces i rëndësishëm, e sidomos gjatë viteve të para të jetës. Duhet cekur se shumica prej nesh nuk i mbajnë mend dy ose tre vitet e para të jetës, por përvojat tona më të hershme mund të qëndrojnë me ne për vite me radhë dhe të vazhdojnë të na ndikojnë edhe në moshën madhore”, shprehet psikologja.

Ajo thotë, që fëmijëria është vendimtare për zhvillimin e një lidhjeje të sigurt emocionale dhe aftësive që i ndihmojnë personit të ketë sukses në jetë.

CILËT JANË FAKTORËT GJATË FËMIJËRISË QË NDIKOJNË NË SUKSES MË VONË?

“Dimensionet e shumta të zhvillimit e ndikojnë suksesin në të ardhmen. Zhvillimi socio-emocional është një ndër faktorët përmes të cilit fëmijët fitojnë e vetëbesimin, njohuritë, qëndrimet dhe aftësitë për të njohur dhe menaxhuar emocionet e tyre, për të vendosur dhe arritur qëllime pozitive, për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie dhe për të trajtuar në mënyrë efektive situtata ndërpersonale”, tregon Bajrami Ibrahimi.

Sipas saj, të gjitha këto aftësi të fituara përgjatë fazave të zhvillimit kanë një rol të rëndësishëm në suksesin akademik dhe profesional.


CILËT JANË SHKAKTARËT QË I NDRYDHIN SHPREHITË E SUKSESIT?

Adela thotë, që prindërit duhet të kenë më shumë informata rreth rolit kyç që ka fëmijëria në mirëqenien e jetës, sepse familja dhe mjedisi luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e të gjitha aftësive që i posedojnë personat që shihen si të suksesshëm nga të tjerët.

“Mungesa e informatave të prindërve rreth rëndësisë së zhvillimit të fëmijërisë së hershme, por edhe mungesa e mbështetjes emocionale mund të ndikojë që fëmijët të kenë vështirësi të mësojnë të kontrollojnë mendimet, ndjenjat dhe sjelljen e tyre: aftësi të referuara si vetërregullim”, shprehet ajo.

Sipas një studimi nga Universiteti Illinois, fëmijët në familjet me konflikte të larta, priren të kalojnë më keq se fëmijët e prindërve që shkojnë mirë. Por, nëse ata i kanë dy prindër që kanë zënka dhe ato i zgjidhin në sy të fëmijëve, kjo u jep atyre siguri emocionale. Madje, ata në fakt janë më të lumtur sesa ishin përpara se ta shihnin atë.

Po ashtu, sipas raportit të studimit të publikuar në “Journal of Marriage and Family”, nënat e stresuara e transmetojnë këtë te fëmijët e tyre duke ndikuar keq në shëndet. Një nënë më pak e stresuar do të thotë fëmijë më i qetë.

“Gjithashtu statusi socio-ekonomik mund të vështirësojë arritjet për arsyje të mungesës së stimulimit në fëmijërinë e hershme, i cili është krucial”, thotë Adela Bajrami Ibrahimi.

Prandaj, njerëzit që rriten në klasa më të ulëta socio-ekonomike përfundojnë me memorie më të ulët pune, ose kujtimet e varfërisë do t’i ndjekin. Kështu thuhet në gjetjet e një studimi Universiteti i Oregonit.

Ndërsa, vajzat që i shohin nënat e tyre duke punuar kanë më shumë mundësi të marrin pozita menaxheriale në të ardhmen, kurse djemtë e këtyre nënave do të jenë më të angazhuar në punët e shtëpisë, thuhet në një studim nga Harvard Business School.

SI FUNKSIONON MENDJA E NJË NJERIU TË SUKSESSHËM?

Psikologja thotë që inteligjenca është ajo që e përcakton suksesin e dikujt, edhe pse kjo nuk është domosdoshmërish e vërteta e vetme.

“Përveç inteligjencës kanë rëndësi edhe aftësitë e tjera si aftësitë vetërregulluese,  shprehitë e mira të punës, planifikimi dhe organizimi i kohës në mënyrë adaptive, vendosja e qëllimeve për jetën dhe të qenit konsistent në punën drejt arritjes së qëllimeve”, përfundon Adela. /Akademi Pune

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.