“Si Berisha me Ramën”, përplasje mes Latifit e kryesuesit të Kuvendit në Rahovec

Seanca e Kuvendit Komunal të Rahovecit sot është shoqëruar me përplasje mes kryetarit të Komunës, Smajl Latifi dhe kryesuesit të Kuvendit, Defrim Kafexhiu, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje që është në opozitë.

I gjithë sherri nisi për rendin e ditës, në të cilën Latifi kërkonte të rikthente në rend dite pikën “Shqyrtimi dhe miratimi propozim vendimit për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2021 në vitin 2022” për të cilën paraprakisht ishte vendosur të hiqej.

Latifi mbërriti në seancë pasi kishte filluar ajo dhe pakënaqësia dukej që në start dhe më pas iu drejtua kryesuesit duke i thënë se duhej ta priste atë dhe grupin e AAK-së, mirëpo Kafexhiu u arsyetua me faktin se kryetari ishte vonuar shumë.


Pas shkëmbimit të fjalëve në distancë, Latif ii afrohet foltoret dhe thotë se do ta bëjnë “si Rama me Berishën” duke kujtuar një episod të Kuvendit të Shqipërisë, kur të dy liderët kërkonin të flisnin në të njëjtën kohë në foltore.

Më pas Latifi paralajmëroi se kjo mund të ishte seanca e fundit e Kuvendit Komunal të Rahovecit me Defrim Kafexhiun si kryesues. Latifi e quajti “kapadai” edhe asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Pallqa, i cili u ngrit në këmbë duke e kundërshtuar kryetarin e Rahovecit.

Pas shumë debateve, pika “Shqyrtimi dhe miratimi propozim vendimit për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2021 në vitin 2022” u fut në rend dite ndërsa seanca do të vazhdojë punimet të enjten e ardhshme prej orës 10:00.

Lexo edhe

Video