Si arrihet që me politika dhe ligje për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve të rritet qëndrueshmëria e shoqërisë dhe administratës kundër korrupsionit?

Si arrihet që me politika dhe ligje për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve të rritet qëndrueshmëria e shoqërisë dhe administratës kundër korrupsionit?

Performanca 24-orëshe “SINJALIZO” përfundoi sot në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, si pjesë e kampanjës me emrin e njëjtë, nën organizimin e Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI). Përgjatë ngjarjes, qytetarët e Prishtinës arritën që të shpëtojnë mbi 870 mijë euro nga shkatërrimi, e përmes kësaj zëshëm u kërkua që t’i vihet një fund korrupsionit dhe t’u jepet mbështetja individëve të guximshëm që e luftojnë korrupsionin për çdo ditë, për të mirën publike.

Ne biseduam me Elmerina Ahmetaj Hrelja, menaxhere e projektit “Ndërprerja e Heshtjes përmes Përmirësimit të Politikave dhe Kulturës së Raportimit të Korrupsionit nga Sinjalizuesit në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi” lidhur me performancën e mbajtur, projektin që po zbatohet nga RAI, si dhe për atë se si duhet rritur vetëdija e qytetarëve për mbrojtjen e sinjalizuesve.

  • Performanca me titullin provokues “SINJALIZO”, që u mbajt dje në Prishtinë, intrigoi publikun me simbolikën e saj. Kjo performancë e pazakontë ishte pjesë e një fushate publike, nën udhëheqjen e Sekretariatit të Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit, në kuadër të një projekti që mbështetet nga BE. Çfarë kërkohet të arrihet përmes kësaj performance interesante?

Korrupsioni i shkakton dëme të mëdha shoqërisë. Si pjesë e kësaj performance, qytetarët kishin mundësinë që të sinjalizonin me shtypjen e një butoni dhe në mënyrë simbolike ta ndalnin shkatërrimin e parasë që ndodhte në praninë e tyre, brenda një kutie të tejdukshme. Përmes kësaj performance, në mënyrë simbolike u demonstrua që korrupsioni bëhet para syve tanë dhe se shkakton dëme të mëdha për të gjithë shoqërinë, por edhe se secili person mund të jap kontribut në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit nis me individin, duke e refuzuar pjesëmarrjen në korrupsion si hap i parë. Një hap tjetër me rëndësi është mbështetja e sinjalizuesve – ata që marrin vendime të guximshme e vetëmohuese për ta raportuar korrupsionin, duke e vënë veten e tyre në shërbim të interesit publik.

  • Kampanja “SINJALIZO” është pjesë e projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian “Ndërprerja e Heshtjes përmes Përmirësimit të Politikave dhe Kulturës së Raportimit të Korrupsionit nga Sinjalizuesit në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”. Cili është angazhimi i RAI në kuadër të këtij projekti?

Në kuadër të projektit, RAI punon në përmirësimin e mbrojtjes së sinjalizuesve përmes ligjeve më të mira, por edhe zbatimit të tyre më të mirë, në përputhje me Direktivën e BE-së për mbrojtjen e sinjalizuesve, e cila hyri në fuqi në vitin 2019. Qëllimi i këtij projekti është të informojë dhe edukojë publikun, veçanërisht të rinjtë, për rolin e rëndësishëm që sinjalizuesit kanë në luftën kundër korrupsionit.     

Projektin e zbaton Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), një organizatë rajonale dedikuar frenimit të korrupsionit në Evropën Juglindore, përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të dijenive dhe eksperiencave. 


  • Si mund të ndihmojmë që ta rrisim kujdesin e qytetarëve në mbrojtjen e sinjalizuesve?

Duke e monitoruar zbatimin e ligjit në mbrojtjen e raportuesve të korrupsionit – sinjalizuesve, është rritur edhe mbulueshmëria mediale e rasteve të sinjalizimit. Mediat, por po ashtu edhe raportet e organizatave ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare, kanë nxjerr në pah sfidat me të cilat ndeshemi. Një nga këto sfida është mungesa e besimit të qytetarëve për një rezultat pozitiv nëse do ta raportonin korrupsionin. Për shembull, qytetarët nuk besojnë se raportimi i korrupsionit do të rezultojë me dënimin e kryesit të aktit korruptiv. Me fjalë të tjera, ata nuk besojnë që raportimi i tyre për korrupsionin do të sjell ndonjë ndryshim pozitiv. Sfida e dytë, në zgjidhjen e së cilës Sekretariati i RAI angazhohet në kuadër të këtij projekti, është mbrojtja efektive e sinjalizuesve, siç mund të jetë ndëshkimi i punonjësve nga menaxherët e tyre, që mund të ndodh pas raportimit të korrupsionit.  

Mund ta rrisim besimin e qytetarëve, përmes mbrojtjes më të madhe të sinjalizuesve, por po ashtu edhe përmes hetimit dhe dënimit të kryesve të akteve korruptive. Qytetarët do të motivohen për të raportuar korrupsionin nëse e dinë që, për shkak të raportimit, nuk do t’i vuajnë pasojat, siç mund të jetë humbja e vendit të punës e në disa raste edhe rrezikimi i sigurisë së tyre fizike.

  • Sa e kanë rritur qëndrueshmërinë e shoqërisë dhe të qeverive kundër korrupsionit politikat dhe ligjet e miratuara?

Krimet financiare dhe ato të korrupsionit kryhen në mënyrë të fshehtë, dhe zbulimi i tyre shpeshherë është i mundshëm vetëm përmes raportimit dhe bashkëpunimit me ata që dëshmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sipas statistikave globale, 80% e krimeve serioze financiare zbulohen për arsye se raportohen nga sinjalizuesit. Me ligje efektive për mbrojtjen e sinjalizuesve, ne inkurajojmë raportimin e korrupsionit nga ata që janë gati të dëshmojnë, pra sinjalizuesit. Kështu, ne veprojmë në mënyrë preventive, sepse një kryes potencial do ta kishte më të vështirë të vendosë që të kryej një akt korrupsioni nëse frikësohet nga raportimi i sinjalizuesve, por po ashtu edhe në mënyrë ndjekëse sepse, me raportimin e tyre, sinjalizuesi kontribuon në gjetjen, hetimin dhe ndjekjen e kryesit.

  • RAI bashkëpunon me institucionet në Prishtinë e po ashtu edhe me organizatat joqeveritare, mediat dhe të rinjtë që i përkushtohet me devotshmëri luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve. Sa të suksesshme kanë qenë për RAI-n këto bashkëpunime?

Bashkëpunimi me institucionet publike por edhe sektorin joqeveritar, mediat, publikun e gjerë dhe veçanërisht të rinjtë, është thelbësor për përmirësimin e mbrojtjes së sinjalizuesve dhe luftën kundër korrupsionit. Vitin e kaluar, kemi bashkëpunuar me sukses me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Ministrinë e Drejtësisë në vlerësimin e pajtueshmërisë së Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve me Direktivën e BE mbi Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Bashkëpunuam edhe me organizata të shoqërisë civile nga Prishtina dhe me të rinj nga vendi dhe rajoni me të cilët krijuam një video inspiruese ku protagonistët i përgjigjen pyetjes “Pse veçanërisht të rinjtë nuk duhet të heshtin kur përballemi me korrupsionin?

  • Është e rëndësishme ta theksojmë që sinjalizuesit punojnë në favor të interesit publik. Cili është pozicioni i RAI për këtë gjë?

Përmes raportimit të korrupsionit, sinjalizuesit kontribuojnë në parandalim, gjetjen dhe hetimin e krimeve të korrupsionit. Pa sinjalizuesit, nuk ka luftë efektive kundër korrupsionit dhe në një shoqëri ku korrupsioni fiton, qytetarët nuk mund të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta. Sinjalizuesit veprojnë në interesin e të gjithëve, sepse ata kontribuojnë në sundimit të ligjit dhe për një shoqëri ku secili gëzon të drejta dhe mundësi të barabarta – nga punësimi, shërbimet shëndetësore, edukimi, mjedisi i shëndetshëm e shumë gjëra të tjera.

Lexo edhe

Video

error: