Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës mbajti takim me kryetarë të shoqatave për hyrjen apo mos hyrjen në protestë.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi bëri propozimin për shtyrjen e afatit të protestës për një javë. Ai tha se po i japin afat qeverisë t’ i shqyrtojë kërkesat e tyre edhe një javë.
“Është shumë normal që kryetari në konsultim me kolegët përreth që ne kemi edhe kompetencën tonë që në momente të caktuara të marrim vendime dhe unë njoftoj opinionin dhe punëtorët e sektorit privat të Kosovës se protesta e cila është dashur që sot të merret vendim që të filloj në javën tjetër, vendimi do të merret në javën tjetër. Këshillat të cilat për shtyrjen e mos marrjes së vendimit sot janë çështjet politike në rend të parë por janë edhe çështjet për të cilat të tjerët po mendojnë se ne kemi vetëm një orientim si të bëjmë në një farë forme të them destabilizim sa më të vogël politik dhe ekonomik në Kosovë. Ne edhe një javë po i japim mundësi po japim afat qeverisë së Kosovës që kërkesën tonë ta shqyrtojnë mirë, të reflektojë mirë dhe po i shterim të gjitha mundësitë po njoftojmë të gjithë opinionin, po njoftojmë po themi edhe fëmijët në djep se ne jemi keq, na është bërë e pa drejtë dhe e gjithë kjo me kërkesën e një pjese jo të madhe të shoqatave, unë si kryetar i sindikatës do ta qesë në propozim tek kryetarët e shoqatave që ky vendim të shtyhet për një javë”, tha ai.
Ndërkaq ai tha se nuk është vendimi i dëshiruar por sipas tij është i imponuar dhe sipas planeve të tyre sot ishte dashur të merret vendimi për të hyrë në protestë. Por 20 për qind e shoqatave kanë kërkuar që të shtyhet për në javën tjetër, kurse 80% janë pro hyrjes.
Ai tha se duhet të jenë 100 për qind të gjithë pro hyrjes në protestë.
“Jemi të detyruar ashtu si kemi ardhur sot që të marrim një vendim të pa këndshëm një vendim të cilën nuk kemi dëshiruar por një vendim i cili po na imponohet…Sipas planeve që ne kemi pasur sot është dashur të merret vendimi për hyrjen në protestë dhe orientimisht ka qenë që të hyjë të mërkurën eventualisht të enjten por meqë një pjesë bukur e mirë po themi jo shumica po themi 30 për qind e shoqatave kanë kërkuar që ky vendim të shtyhet për javën e ardhshme, ne kemi dashur që kur të merret vendimi të merret në mënyrë unanime. Themi sot mbi 80 për qind të shoqatave janë pro hyrjes por nuk po dëshirojmë që as ai 20 për qind të na mbetet jashtë. Na kanë kërkuar neve që të presim një jave edhe realisht kjo qeveri është kështu ne jemi këtu dhe mendojmë që është më e arsyeshme që kur të hyjmë të hyjmë të gjithë së bashku”, u shpreh ai.
Për të përballuar inflacionin, Qeveria e Kosovës ka ndihmuar qytetarët me subvencione. Qeveria ka ndihmuar sektorin publik me nga 50 euro për tre muaj. Kurse për pensionistët janë ndarë nga 100, ndërsa në pritje për 100 euro janë studentët dhe punonjësit e ndërmarrjeve publike/D.Gashi