Shtyhet shqyrtimi fillestar për rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit

Shqyrtimi fillestar për rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit në mungesë të pajisjes së palëve me shkresa dhe provat e lëndës është shtyrë për 14 nëntor.

Të dy palët kanë thënë se nuk posedojnë këto shkresa dhe kanë kërkuar që shqyrtimi fillestar të shtyhet.

Para gjykatores, avokati mbrojtës për rastin e Bedri Rexhepit, Besnik Berisha tha se hetimi i këtij rasti është ndër më të vështirët në historinë e drejtësisë së Kosovës.

“Është fakt se hetimi ka qenë i shoqëruar me vështirësitë më të njohura në historinë e drejtësisë në Kosovë dhe jo gjithçka ka mundur të realizohet në kohë dhe të përmbushen detyrimet për një seancë të kompletuar siç kërkon ligji. Ne pajtohemi që gjykata të jep kohë shtesë, ashtu siç rezulton si e drejtë se secili i akuzuar dhe mbrojtës i tyre të ketë mundësinë të pajiset me shkresat e lëndës dhe vetëm atëherë të deklarohet për fajësinë dhe pafajësinë. I akuzuari kryesor në këtë çështje edhe pse është deklaruar fajtor, në momentet e fundit do të përdorë praktika për ta ndryshuar këtë deklarim, dhe ne nuk duam që gjykata të jep mundësi që kjo të bëhet për shkak të përdoret si alibi mungesa e shkresave të lëndës”, u shpreh ai.

Avokatja e të akuzuarit Jeton Vllasaliut, Alberina Foniqi ka propozuar që kjo seancë të shtyhet.


“Unë kam një propozim, meqë lënda është voluminoze dhe që mua në këtë seancë për këtë shkak më pamundësohet të jap çfarëdo deklarimi. Duke u bazuar në këto që ceka, propozoj qe seanca e sotme të shtyhet për një afat të pacaktuar që neve të na jepet mundësia që ne të kemi një pasqyrë më të hollësishme sa i përket kësaj çështje në mënyrë që të procedojmë tutje”, ka thënë ajo.

Edhe avokati i të akuzuarit të dytë Nexhat Vllasaliut, Shemsedin Piraj tha se nuk posedojnë këto shkresa dhe kërkesa e të pandehurit është që të pajisen me to.

“Shkresat nuk janë dorëzuar, mirëpo kemi pasur një bisedë me prokurorin e çështjes dhe na ka premtuar që do t’i sjell në seancën e sotme. Unë e kuptoj që është një material voluminoz dhe i llojllojshëm. Mirëpo, per veç aktakuzës, prova tjera nuk disponojmë. Pas konsultimeve që i kemi pasur me të pandehurin ditën e shtunë, i njëjti kërkon që të gjitha provat të shikohen një nga një, meqë i njëjti në asnjë stad fajësinë nuk e ka pranuar. Andaj duhet të bëhen përpjekje atëherë të dorëzohen provat dhe të caktohet shqyrtimi fillestar dhe të jepet mundësia që mbrojtja të jetë sa më efikase dhe e drejtë. Unë e kuptoj që kemi të bëjmë me një çështje serioze, por kërkesa eksplicite është që të pandehurit është që të pajisen me shkresa”, ka shtuar ai.

Pas dëgjimit të palëve, gjykata ka vendosur shqyrtimi fillestar të shtyhet për datën 14 nëntor në orën 13:30.

Kujtojmë se, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të cilët janë vëllezër, Jeton dhe Nexhat Vallasaliu, të cilët dyshohen për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.

Lexo edhe

Video