Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Shtyhet për një afat të pacaktuar seanca ndaj 11 veteranëve të UÇK-së

Shtyhet për një afat të pacaktuar seanca ndaj 11 veteranëve të UÇK-së

Në mungesë të të akuzuarve dhe në mungesë të provave ka dështuar seanca fillestare ndaj 11 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për organizimin e një proteste në gusht të vitit 2015.

Seanca ndaj Xhevdet Qeriqit dhe 10 të tjerëve është shtyrë për një afat të pacaktuar, deri në evidentimin e pronarit të një veture të dëmtuar gjatë protestës, dhe evidentimit të dëmit të shkaktuar.

Gjyqtarja Lumnije Krasniqi tha se seanca e radhës nuk do të mbahet deri sa të sigurohen provat lidhur me pronarin e një veture të dëmtuar, dëmet e të cilës ende nuk dihen.

“Obligohet Prokurori i Shtetit të grumbullojë faktin se kush është pronari i kësaj veture si dhe në bazë të kësaj informate të kërkojë prova në lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar ndaj kësaj veture dhe ta njoftojë Gjykatën me një parashtresë. Meqenëse nuk ka kushte për mbajtjen e gjykimit fillestar seanca shtyhet për një kohë te pacaktuar derisa të sigurohen prova lidhur me pronarin e veturës dhe dëmin e shkaktuar kësaj veture”, tha ajo.

Mungesën e identifikimit të veturës së dëmtuar e bëri të ditur mbrojtja e palës së dëmtuar, avokati Bedri Krasniqi, i cili tha se nuk është identifikuar i dëmtuari krejt.


Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, ai tha se do të ketë një parashtresë.

“Në bazë të të dhënave që ka grumbulluar e dëmtuara gjatë protestës së veteranëve sipas akuzës së Prokurorit të Shtetit, të dëmtuarës Qeverisë së Republikës së Kosovës i është dëmtuar dera lëvizëse e metalit, motori i derës, xhamat e kioskës dhe rrethoja e metalit e ndërtesës. Në bazë të provave të grumbulluara e dëmtuara ka paguar vetëm motorin lëvizës të derës në hyrje që ka vlerë prej 400 euro, ndërkaq punët i kanë kryer pjesëtarë të sigurimit, pa kompensim. Sa i përket veturës me numër të targave 01-183-SL sipas informacioneve që nuk është pronë e jona, nuk kemi informacione se kush është pronari i kësaj veture”, tha ai.

Kjo shtyu gjyqtaren Lumnije Krasniqi që të obligojë Prokurorin e rastit, Menduhi Kastrati që të verifikojë faktet për të  gjetur pronarin e veturës si dhe shumën e dëmit të shkaktuar, gjetja e të cilave do të jetë përcaktuese e kohës për mbajtjen e seancës së radhës.

Ndërsa prokurori i rastit, Menduhi Kastrati, i cili mori përsipër këtë detyrë tha se në mungesë të konfirmimit të dëmit zyrtar, mund të paragjykohet dëmi.

11 veteranët akuzohen se në protestën e 7 gushtit të vitit 2015 dëmtuan rrethojat e objektit të qeverisë dhe dëmtimin e një veture.

Lexo edhe

Video

error: