Çmimet mesatare të derivateve në vendin tonë sërish kanë shënuar rritje ditëve të fundit rreth 5 centë për litër. Këtë shtrenjtim të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë. Derisa nga Shoqata e Naftëtarëve këtë ngritje e arsyetojnë me rritjen e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari i kësaj shoqate ka mohuar të ketë rritje të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ardhjes së bashkatdhetarëve për festat e fundvitit, raporton KosovaPress.
Në tregun e Kosovës një litër naftë sillet nga 1. 20 euro-centë deri në 1. 29 euro-centë, ndërsa benzina prej 1. 22 euro-centë deri 1. 28 euro-centë.
Ndërsa, Naser Hyseni i cili punon auto-taksi thotë se çmimi i derivateve ka shënuar shumë ngritje krahasuar me periudhën e më hershme.
Si pasojë e këtyre çmimeve dhe rënies së punës, Hyseni thotë se fitimi është i vogël nga puna e tij ditore. Sipas tij, litri i naftës në Kosovë do të duhej të ishte rreth 0. 70 centë.Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani pranon se ka një rritje të çmimeve të derivateve, të cilën e quan “ngritje të lehtë”.
Pavarësisht kësaj, Berjani thekson se çmimet në Kosovë janë më lirë se në regjion, duke përjashtuar Maqedoninë e Veriut për të cilën thotë se ka akcizë më të ulët se shteti ynë.
Shtrenjtimi i karburanteve ndikon jo vetëm në xhepat e qytetarëve, por edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Po ashtu çmimi i karburanteve është një faktor kyç që ndikon në shpenzimet e tyre mujore.