Shteti i qeverisur më mirë është ai që i afrohet më shumë modelit të individit

Shteti i qeverisur më mirë është ai që i afrohet më shumë modelit të individit

(Diskutim midis filozofit Sokrat dhe Glaukonit)

Sokrati: A nuk duhet, për të rënë dakort, Glaukon, që ne të kërkojmë të dimë para së gjithash, se cila është në organizimin e SHTETIT e mira më e madhe, e mirë të cilën ligjvënësi duhet ta ketë parasyash kur vendos ligjet, dhe cila është e keqja më e madhe, pastaj të shqyrtojmë nëse ajo që kam propozuar unë, na vë në rrugën drejt kësaj së mire apo na largon nga kjo e keqe?

Glaukoni: Kjo është shumë e domosdoshme.

Sokrati: Por, a mund të ket për një SHTET të keqe më të madhe sesa ajo që e ndan mëdysh dhe, nga një SHTET i vetëm krijon shumë të tjerë dhe, të mirë më të madhe sesa ajo që e bashkon dhe e bën një të vetëm?

Glaukoni: Nuk mund të ketë.

Sokrati: Tani, ajo që bashkon, a nuk është vallë përbashkësia e gëzimit dhe e dhimbjes, atëhere kur, për aq sa është e mundur, të gjithë qytetarët gëzohen apo dëshpërohen në të njëjtën mënyrë për të njëjtat suksese dhe për të njëjtat fatkeqësi?

Glaukoni: Sigurisht, kështu është.

Sokrati: E kundërta, ajo që na ndan, a nuk është vallë egoizmi për gëzimin dhe dhimbjen, kur një palë janë të dëshpëruar, kurse pala tjetër në kultmin e gëzimit për atë që po i ndodh qoftë SHTETIT qoftë qytetarëve të veçantë?

Glaukoni: Pa dyshim.

Sokrati: Dhe një gjë e tillë, nga vjen, në mos nga fakti që të gjithë qytetarët nuk thonë në të njëjtën kohë të njëjtën fjalë: kjo është imja, kjo nuk është imja, madje, edhe kur flasin për një gjë që është e huaj për ta?


Glaukoni: Nuk ka gjë më të vërtetë se kjo.

Sokrati: Kur pjesa më e madhe e qytetarëve thonë për të njëjtën gjë, parë në të njëjtin raport: kjo është imja, kjo nuk është imja, a nuk është kjo shënja e qeverisjes më të mirë?

Glaukoni: Më të mirë, dhe shumë, madje.

Sokrati: E ç’të thuash pastaj për SHTETIN që i afrohet sa më shumë individit? Kur, për shembull, neve na qëllon dikush e na vret në një gisht, gjithë bashkësia trupore e shpirtërore, radhitur nën një qeverisje të vetme në bazë të parimit që e drejton, e ndien këtë goditje dhe vuan e gjitha me palën e plagosur, dhe pikërisht këtu ne themi që njeriut i dhemb gishti; dhe kjo thuhet edhe për të gjitha pjesët e tjera të trupit që e bëjnë të vuajë, dhe që ai kënaqet kur plaga shërohet.

Glaukoni: Vërtet, kështu është; dhe, për t’iu përgjigjur pyetjes sate, duhet thënë se SHTETI i qeverisur më mirë është ai që i afrohet më shumë modelit të individit.

Sokrati: Sikur t’i ndodhë diçka, e mirë apo e keqe, një qytetari, një SHTET i tillë mendoj se do të jetë i pari që do të thotë se është ai vetë që po vuan, dhe ai do të gëzohet dhe do të dëshpërohet i gjithi bashkë me atë.

Glaukoni: Kështu duhet të ndodhë, nëse çdo gjë regullohet siç duhet.

 

Shënim: Nxjerrë prej “Republika” i Platonit, Libri i Pestë, X

26 maj 2020

Lexo edhe

error: