Shtetasit e Shqipërisë të zhgënjyer me masat e qeverisë për hyrje në Kosovë

Masa e vendosur nga Qeveria e Kosovë që çdokush që hynë në Kosovë të ketë tri dozat e vaksinës anti-COVID apo dy doza të vaksinës dhe testin PCR negativ ka  revoltuar shumë qytetarët e Shqipërisë që kanë destinacion Kosovën. Në pikën kufitare në Morinë numri i atyre që ia kishin mësyrë Kosovës këtë fillimjavë  nuk ishte i madh, ndërkohë që shumë nga ta u kthyen pasi nuk posedonim tri dozat e vaksinës. E posedimi i një testi PCR nga këta qytetarë po konsiderohet taksë e panevojshme.

Duke mos u pajtuar me këtë vendim  ata kërkonin që sa më shpejt të largohet  kjo masë.

Pëllumb Jemini, i cili për shkak të punës çdo ditë detyrohet të kalojë kufirin Kosovë-Shqipëri konsideron se kjo masë ua vështirëson lëvizjen.

“Vështirë është, kuptohet qe është vështirë por nuk është paraparë kjo punë tek ne hiq, nuk e di ky Albin Kurti shumë dobët, po e shajnë të gjithë  dhe nuk e di se çka. Nuk e di se të juajt i lejojnë këndej e neve nuk na lejojnë andej… Patjetër që duhet të hiqet, ne jemi një nuk e di se çka bëhet kështu… Unë punoj për ditë këtu por nuk po na lejojnë tani”, tha ai.

I revoltuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës u shpreh edhe Teki Shema i cili posedimin e tri dozave për të hyrë në Kosovë e ka konsideruar absurd.

Sipas tij kjo masë duhet të rishikohet sa më shpejt.

“Nuk e di se pse na e kanë bërë atë punë neve, kurr shkon në Evropë me dy dozat dhe të hysh në Kosovë me tri doza, kurse në Shqipëri akoma nuk ka dal vaksina e tretë më duket shumë absurde… Dy doza kam, po provoj tash nuk e di a do të më lejojnë apo do të më kthejnë… Për neve është një tarifë e rëndë të paguajmë 20 euro për tu futur në Kosovë dhe për tu kthyer, kur kam dy vaksinat e bëra nuk më duket normal”, deklaroi ai.


Xhelal Xhani nga Peshkopia sot nuk u lejua që të hyjë në Kosovë përkundër që kishte tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, pasi nuk figuronte në sistem se ka marrë edhe dozën e tretë.

Shumë i mllefosur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, Xhani thotë se nuk po lejohet të marr vajzën e tij të cilën e ka të martuar në Pejë.

“Unë kam vajzën në Pejë të martuar, ka pesë ditë dua të shkoj ta marr të vijë me kalamaj në Shqipëri, këta nuk më lënë. Kam bërë edhe dozën e tretë ‘nuk ta nxjerrë sistemi’ thotë”, theksoi Xhani.

Ndonëse kishte tre dozat e vaksinës anti-COVID, Bislim Sedës iu deshtë të kthehej pasi familjari i tij nuk u lejua të hyjë në Kosovë pasi ai nuk kishte tri dozat e vaksinës dhe as testin PCR negativ.

“Ky i ka dy doza këtu dhe këtë, unë kam tri doza nuk kam problem për mua tha në rregull, por për këtë tha jo 30 euro ka paguar”, tha ai.

Për shkak të situatës së rënduar epidemiologjike nga dita e shtunë në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID. Me masat e reja parashihet që çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë: certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19, ose certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19.

Rishikim me urgjencë të këtyre masave gjatë ditës së djeshme ka kërkuar edhe zëvendësministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Ilir Hasani.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovës është shënuar një rast me fatalitet si pasojë e infektimit me COVID-19, ndërsa raste të reja të infektuara kanë rezultuar 2 mijë e 957 raste. 

Lexo edhe

Video

5 Comments

Komentet janë të mbyllura.