ShSKUK: Sejdullah Hoxha mbi 40 vjet kontribuoi në sistemin shëndetësor

ShSKUK: Sejdullah Hoxha mbi 40 vjet kontribuoi në sistemin shëndetësor

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës i ka shprehur ngushëllime familjes së Prof. Sejdullah Hoxhës, duke thënë se ai me punën e tij në Klinikën e Gjinekologjisë me Obstetrikë, dëshmoi angazhim, sinqeritet, profesionalizëm dhe mbi të gjitha, përkrahjen e tij për kolegët në ngritjen profesionale.


ShSKUK në një telegram ngushëllimi, ka theksuar se mbi 40 vjet të punës së tij dhe pas pensionimit, ai vazhdoi të mbetet në shërbim të pacientëve, studentëve dhe specializantëve dhe specialistëve të rinj, që kishin nevojë për përkrahjen e tij. 

“Profesori gjatë punë së tij në klinikë ka kontribuar shumë në ngritjen dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore, për çka do t’i jemi shumë mirënjohës.  Ai për asnjë moment nuk hezitoi të përkrahë gjeneratat e reja për të ngritur dijen e tyre nga lëmi i gjinekologjisë me obstetrikë, duke qenë vazhdimisht krah i djathtë i tyre. Familja humbi prindin, bashkëshortin dhe të afërmin e tij, ndërkohë mjekësia kosovare humbi njeriun që dha shumë për të. Ai u kujdes për pacientet deri në momentet e fundit, përderisa do të mbetet i pa harruar edhe kontributi i tij në momentet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, pasi dha shumë kontribut edhe para dhe gjatë luftës në Kosovë, në kushte dhe rrethana të vështira. Ishte profesionist i mirë, bujar dhe human, e këtë e tregoi edhe me veprimet e tij konkrete, kur u doli në ndihmë shumë pacientëve. Qoftë  i paharruar kujtimi për profesor Sejdën, i cili çdoherë do të mbetet në zemrat dhe mendjet tona. Lavdi punës dhe veprimtarisë së tij”, thuhet në telegram ngushëllimi.

Lexo edhe

Video