Shqipëria do të përballet me Estoninë në një ndeshje miqësore

Shqipëria do të përballet me Estoninë në një ndeshje miqësore

Kombëtarja shqiptare do të luajë një miqësore me Estoninë. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me Federatën Estoneze që kjo ndeshje të luhet më 13 qershor 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00.

Në këtë datë ishte planifikuar më parë që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA për pezullimin e Rusisë, FSHF vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore.

Po në qershor Shqipëria do të luajë më 6 qershor me Islandën në transfertë dhe më 19 qershor me Izraelin në shtëpi, që të dyja sfida të vlefshme për Nation League.


Kjo do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Estonia do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën të dy përfaqësueset janë ndeshur tre herë me njëra-tjetrën, në të tre rastet për ndeshje miqësore.

Sfida e parë Shqipëri-Estoni është luajtur më 15 nëntor 2003 në Tiranë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga Adrian Aliaj dhe Alban Bushi.

Përballja e dytë është ajo e 28 prillit e luajtur në Talin të Estonisë dhe përfundoi në barazim 1-1. Goli për Shqipërinë u shënua nga Adrian Aliaj. Ndërsa sfida e tretë Estoni-Shqipëri është zhvilluar më 14 nëntor 2009 dhe ka përfunduar në barazim 0-0. Edhe kjo miqësore u luajt po në Talin.

Lexo edhe

Video