Shqipëri: Ulen komisionet për transfertat në euro, më i larti jo më shumë se 50 euro

Shqipëri: Ulen komisionet për transfertat në euro, më i larti jo më shumë se 50 euro

Transfertat në euro brenda Shqipërisë do të bëhen me shumë më pak komisione, pasi që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë për konsultim projekt-rregulloren, e cila synon që të ulë nivelin e komisioneve nga 30 euro minimumi në 6 euro, rreth katër herë më pak.

Aktualisht një bankë në Shqipëri që të bëjë transfertën duhet të lidhet edhe me një bankë korrespondente jashtë vendit dhe përveç vonesës në kohë, kjo sillte edhe komisione të larta për transaksionet.

Nëpërmjet një sistemi të ri (AIPS EURO), Banka e Shqipërisë do të jetë agjenti kryesor i shlyerjes së transfertave. Si pronare e sistemit, banka qendrore do t’iu vendosë vlera tavan bankave tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.

Komisionet për një transferta në një vlerë baras ose më të vogël se 10 mijë euro do të jenë 0.2% e shumës së transferuar, ose jo më i lartë se një komision minimum prej 6 eurosh.


Ndërsa për pagesat që do të dërgohen në mënyrë elektronike, Banka e Shqipërisë shprehet se komisionet nuk duhet të jenë më të larta se 3 euro apo 0.1% e shumës së transferuar deri në 10 mijë euro.

Totali i komisioneve maksimum të aplikuara për çdo transfertë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma.

Gjithashtu, projekt-rregullorja parashikon se për transfertat e kryera përmes këtij sistemi në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje. Me miratimin e rregullores së re, përdorimi i këtij sistemi bëhet i detyrueshme për të gjitha bankat tregtare në Shqipëri.

Në Shqipëri ka një qarkullim të madh të euros në treg, ndërsa kursi i këmbimit arriti gjatë verës në nivelet më të ulëta kundrejt leku. Rreth 55% e depozitave bankare gjithashtu janë në euro, prandaj komisionet e ulëta për transferua ndër bankare janë një lajm pozitiv për eliminimin e përdorimit të parasë fizike./tch

Lexo edhe

Video

error: