Shqipëri, në spital mbizotërojnë të pavaksinuarit nga COVID-19

Shqipëri, në spital mbizotërojnë të pavaksinuarit nga COVID-19

Drejtoresha e Spitalit Infektiv në Shqipëri, Najada Çomo tha se krahasuar me vitin e kaluar situata e infektimeve është më e lehtësuar, sepse ndikim ka dhënë vaksinimi i popullatës.

Në një prononcim për mediat, ajo tha se kanë një fluks rastesh që janë në gjendje stacionare, me një numër pacientësh rreth 130, që ndodhen në spitalet Covid 1 dhe Covid 3.


“Është një trend i përditshëm me rreth 20 pacientë, që kërkojnë ndihmë mjekësore. Numri i të shtruarve në spital është e grupmoshave të ndryshme, duke nisur nga mosha 18 deri mbi 90-vjeçare. Për virusin që flitet aktualisht është Omicron, por janë edhe të infektuar të Deltës, edhe pse nuk i bëjmë të gjithëa tamponët për të evidentuar specifikisht Delta apo Omicron”, tha Çomo ndërsa theksoi se krahasuar me vitin e kaluar situata në spital është më e lehtësuar.

Çomo theksoi se nëse do kishim një popullatë edhe më shumë të vaksinuar, absolutisht numri i personave të ardhur, për të kërkuar shtrim në spital me Covid do ishte më i pakët.

“Ajo që unë dua të theksoj është se në spital mbizotërojnë personat, që janë të pavaksinuar. Mbi 95-97% janë persona të pavaksinuar, një 2-3% janë edhe persona të vaksinuar që kanë sëmundje kronike në mënyrë të padiskutueshme dhe që ndonjëherë, sëmundja e tyre kronike mund të bëhet shkak duke kërcënuar jetën e pacientit. Ne kemi parë pacientë me të tëra llojet e vaksinave dhe asnjë vaksinë nuk mund të thuash se është vaksina që të sjell apo nuk të sjell në spital. Me të tëra llojet e vaksinave, na kanë ardhur të sëmurë në spital, pra nuk ka ndonjë specifikë lloji i vaksinës” deklaroi Çomo.

Lexo edhe

Video