Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori sot në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë”. Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth marrëveshjes ishin Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm dhe Neritan Nallbati, Drejtor i Policisë Kriminale.
Zëvendësministri Mahila, foli për qëllimin, protokollet e zbatimit, referencat ligjore të marrëveshjes etj.
Për qëllimet e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Mahila shtoi se, autoritetet kompetente të palëve do të shkëmbejnë, do të përpunojnë dhe do të ruajnë të dhënat personale, në përputhje me legjislacionin kombëtar përkatës, duke respektuar kushtet e përcaktuara nga autoriteti dërgues dhe duke ndjekur parimet e zbatueshme për përpunimin automatik dhe joautomatik të të dhënave.
Relatorja e projektligjit për komisionin, Antoneta Dhima e vlerësoi atë si një marrëveshje shumë të rëndësishëm, shkruan Atsh Ajo tha se qëllimi i projektligjit është krijimi i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve dhe task-forcave të tyre, për të shqyrtuar taktikat, përgatitjet dhe kohën për zgjidhjen e çështjeve që dalin gjatë bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për të vendosur kur dhe si të ndërmerren veprime në territoret e shteteve palë, veçanërisht, duke shkëmbyer informacione për raste të veçanta bashkëpunimi.