Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Shqipëri në 24 orët e fundit, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Në buletinin ditor mësohet se nga 1664 testime të kryera, 195 qytetarë të tjerë kanë rezultuar të infektuar.
Më së shumti raste të reja janë regjistruar në Tiranë- 63. Janë 7431 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin.
Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 161 pacientë, nga të cilët 18 janë në gjendje më të rënduar.
Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë vdekur një qytetar nga Himara 66-vjeç, një qytetare nga Korça 66-vjeçe, një qytetare nga Durrësi 83-vjeçe.
Janë shëruar 183 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e tyre të përgjithshëm në 189.227.
Që nga shpërthimi i epidemisë me koronavirus në Shqipëri janë regjistruar 199.750 raste, prej tyre 189.227 janë shëruar, 7.431 janë aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 3.092 pacientë.