Ka nisur afati ligjor kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mund të shpallë zgjedhjet e rregullta parlamentare. Pas dërgimit të ftesës për liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve, mundësia më e madhe e mbajtjes së tyre po shihet fundi i muajit janar apo fillimi i muajit shkurt 2025. Ftesën e presidentes e kanë konfirmuar partitë politike, derisa edhe shprehën të gatshme për zgjedhje parlamentare. Në anën tjetër, monitoruesit e zgjedhjeve kërkojnë nga presidentja që t'i shpallë zgjedhjet dhe të caktojë datën sa më herët që është e mundshme, në mënyrë që KQZ-ja, të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion për përgatitjen sa më të mirë të procesit zgjedhor, duke ditur edhe ndryshimet ligjore që janë bërë.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se janë të gatshëm për zgjedhjet e reja parlamentare.
“Jemi në një teren politik dhe në politikë gjithçka është e mundshme. Ne jemi të hapur për zgjedhje dhe kemi qenë edhe atëherë për zgjedhje të parakohshme, kemi kryer edhe punën e opozitës meqenëse s’ka opozitë. Besoj se në çfarëdo varianti që janë të gatshëm partitë opozitare, ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje,”, thekson Rexhaj.
Ftesën e presidentës për konsultime rreth shpalljes së zgjedhjeve të rregullta e konfirmuan në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se presidentja Osmani në muajin gusht duhet të caktojë datën e zgjedhjeve me dakordimin edhe të partive politike.
Në anën tjetër hulumtuesi në Institutin Demokratik(KDI), Eugen Cakolli thotë për KosovaPress, se në bazë të Ligjit për Zgjedhje, presidentja Osmani prej datës 25 korrik, ka qenë e autorizuar të ftojë partitë politike për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve dhe shpalljes së tyre.
Lajmi në sistemin me parapagim....