Shorti i vuri përballë Ukrainës e Holandës, flet trajneri i Kosovës në futsall: Kemi një superfuqi grup

Shorti i vuri përballë Ukrainës e Holandës, flet trajneri i Kosovës në futsall: Kemi një superfuqi grup

Sot në Nyon të Zvicrës u mbajt ceremonia e hedhjes së shortit në kuadër të Kampionatit Botëror 2024 në futsall, ku Kosova tanimë ka mësuar dy kundërshtaret e saja.

Ky short e pozicionoi Kosovën në Grupin 11, grup ky në të cilin gjenden edhe kombëtaret si ajo e Ukrainës dhe Holandës, përcjell KosovaPress.

Tani, shortin në fjalë, trajneri i Kosovës në futsall, Arben Simitçiu, e cilësoi shumë interesant, ndërsa analizoi edhe dy kundërshtarët, Holandën e Ukrainën, kurse tregoi se synimi i vetëm do të jetë kualifikimi tutje.


“Kemi në grup një superfuqi në futsall siç është Ukraina. Nuk e di se në çfarë gjendje do të jetë ekipi i tyre, pasi ukrainasit janë të përqendruar në gjëra krejt tjera për shkak të agresionit rus. Ndërsa, sa i përket Holandës kemi pasur dy ndeshje miqësore dhe ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë, synimi do të jetë kualifikimi”, tha Simitçiu.

“Mendoj se ne dhe Holanda do të luftojmë për vendin e dytë në grup, por sigurisht se do të synojmë të bëjmë befasi edhe ndaj Ukrainës, sepse tashmë ndeshjet do të luhen një në shtëpi dhe një jashtë dhe ne mund të nxjerrim maksimumin para tifozëve tanë. Besoj tek djemtë dhe jam shumë i motivuar dhe optimist për sukses”, shtoi më tej trajneri i Kosovës.

Cikli i ndeshjeve do të fillojë nga shtatori i këtij viti dhe përfundon në mars të vitit 2023. Kosova u kualifikua në ‘Main Round”, pasi doli e dyta në Grupin C të fazës së parë kualifikuese.

Lexo edhe

Video