Shoqëria civile: Shkelja e dyfishtë e Presidencës

Shoqëria civile: Shkelja e dyfishtë e Presidencës

Disa organizata të shoqërisë civile, kanë reaguar ndaj siç thonë ato “tendencës së Presidentit të Republikës Hashim Thaçi për të ushtruar një pushtet kundër-kushtetues në raport me procesin e bërjes së koalicionit të ri qeveritar, të votuar dje në Kuvendin e Kosovës”.

Po ashtu shoqëria civile, dënon fuqishëm edhe “arrestimin e paligjshëm dhe përdorimin jo-proporcional të forcës ndaj qytetarit i cili ushtroi të drejtën e tij të fjalës së lirë”.

Ky është reagimi i shoqërisë civile:

Ne, organizatat e poshtëshënuara, reagojmë fuqishëm ndaj tendencës së Presidentit të Republikës Hashim Thaçi për të ushtruar një pushtet kundër-kushtetues në raport me procesin e bërjes së koalicionit të ri qeveritar, të votuar dje në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, dënojmë fuqishëm arrestimin e paligjshëm dhe përdorimin jo-proporcional të forcës ndaj qytetarit i cili ushtroj të drejtën e tij të fjalës së lirë.

Rikujtojmë fillimisht që Presidenti i Republikës është përfaqësues i unitetit të popullit, dhe aktor tërësisht neutral ndaj relacioneve partiake në Kuvendin e Kosovës. Ka një serë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese në të cilat është saktësuar e lartësuar parimi i përfaqësimit të unitetit të popullit që duhet të ushtroj Presidenti i Republikës, dhe të cilat nënkuptojnë që ai/ajo e ka të ndaluar përfshirjen në çfarëdo marrëdhënie që ndjek një interes partiak apo qëllim pushteti jashtë kompetencave të ngushta kushtetuese. Duke u nisur nga kjo e fundit, ne reagojmë ndaj rolit aktiv që Presidenti Thaçi ushtroi në facilitimin e koalicionit të ri qeveritar, në përmasa të tilla sa që edhe një deputet i mazhorancë së re parlamentare (Haxhi Shala) e pranoj që ai ka ndryshuar qëndrimin e tij votues pro qeverisë së re si rezultat i ndikimit të presidentit Thaçi.

Ne gjykojmë që një fakt i tillë është seriozisht i rrezikshëm për demokracinë e Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës nuk guxon të ushtroj rol të tillë direkt duke lobuar forcërisht tek deputetët që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj votimit të një koalicioni qeverisës. Kjo bëhet edhe më problematike kur shohim që vota e deputetit Haxhi Shala ishte përcaktuese sa i përket kalimit të qeverisë së re në Kuvend. Një ushtrim i tillë ndikimi, përmes lobimit aktiv për ndryshim të qëndrimit në raport me votën ndaj qeverisë së re, është shkelje e rëndë kushtetuese e Presidentit të Republikës.

Gjithashtu, është i papranueshëm sulmi i mbrojtjes së afërt të Presidentit ndaj qytetarit i cili po ushtronte të drejtën e tij për protestë dhe aq më tepër aprovimi dhe stimulimi i këtij veprimi nga Presidenti në një nga paraqitjet e tij televizive mbrëmë Përtej kësaj është tepër shqetësuese gjuha linquese dhe degraduese e Presidentit karshi partive politike apo individëve të caktuar në pozita institucionale. Në fund, bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik dhe institucioneve të shtetit për respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

 

Sinqerisht,


 

Community Development Fund Kosovë (KCDF)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)

Instituti GAP

Lëvizja “FOL”

ORCA

 

Lexo edhe

Video