Shoqëria civile propozon strukturë me tri bllok tarifa për çmimin e energjisë

Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) i ka propozuar ZRRE-së strukturë prej tri bllok tarifash për çmimin e energjisë elektrike.

Ky institut ka propozuar ndarjen e tarifave për ata që shpenzojnë nën 600 kilovatë në muaj, ata nga 600 deri në 1200 kilovatë në muaj dhe ata të fundit me mbi 1200 kilovatë në muaj.

Në konferencën për media, Liron Gjocaj hulumtues në INDEP theksoi se konsumatorët që do të shpenzonin deri 600 KWH në muaj, rritja e çmimit do të ishte 5.5 për qind, për ata nga 600-1200 KWH për 70 për qind e ata mbi 1200 KWH rritje prej 80 për qind të çmimit.

Gjocaj theksoi se ky propozim është më i ulët sesa ajo që ka prezantuar ZRRE-ja.

“Për nivelin e konsumit deri 600 KWH në muaj, INDP propozon që të kemi një rritje të çmimeve prej 5.5 përqind. Ndërsa për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit 600 KËH dhe shpenzojnë deri në 1200 KËH në muaj, ne propozojmë një ngritje prej 70 përqind, dhe jo një ngritje të menjëhershme siç ka propozuar ZRRE prej 211 përqind. Kurse, për konsumatorët që kalojnë nivelin e konsumit prej 1200 KWH ne propozojmë një ngritje prej 80 përqind të energjisë elektrike në krahasim me tarifat e bllokut të dytë”, u shpreh ai.

Ky institut gjithashtu konsideron se duhet të përfshihen edhe bizneset në rritjen e çmimit.


Dardan Abazi, hulumtues i Lartë dhe Drejtor i Programit në INDEP ka thënë se është e papërgjegjshme të presin qytetarët që mos të ketë fare shtrenjtim të rrymës.

Megjithatë, ai tha se propozimi aktual i ZRRE-së është i papranueshëm, derisa theksoi se përkrah rritjen e çmimit të tarifave të energjisë, por që s’pajtohet me përqindjen e propozuar nga ZRRE-ja.

“Është e papërgjegjshme të presim që mos të ketë fare shtrenjtim të energjisë elektrike. Duhet të sigurohemi që ky shtrenjtim të mos jetë ky që është propozuar nga ZRRE-ja, por ne kemi ofruar një model i cili është i balancuar në konsumin 600 KWH nuk ka shtrenjtim më të madh se sa 2 euro nga kjo që kemi propozuar ne. Në 800 KWH të shpenzuara nuk shkon as 10 euro shtrenjtimi të cilin ne e kemi propozuar tashmë. Por, propozimi i ZRRE-së është që në shpenzimin deri 600 KWH të ketë subvencionim të plotë, ndërsa në shpenzimin mbi 600 KWH rritja të jetë 211 përqind më shtrenjtë. Kjo është e papërballueshme dhe e papranueshme. Prandaj, kemi sjellë një model i cili në njërën anë e mbulon minusin, i cili është shkaktuar nga importi i shtrenjtë, por në anën tjetër sigurohet që përmes shkallëzimit me tre blloqe të kemi përballueshmëri më të madhe të çmimeve pikërisht në nivelin nga 600 deri 1200 KWH”, theksoi Abazi. 

Një ngritje e çmimit në këso bllok tarifa, sipas Abazit, do të ndikonte në zbutjen e shpenzimit të energjisë elektrike.

NDEP-i sot do t’i dërgojë propozimet si komente me shkrim në Zyrën e Rregulltarit të Energjisë.

ZRRE ka vendosur për afatin e ofrimit të komenteve deri më datë 31 janar 2022 deri në orën 16:00.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.