Shoqëria civile do t’i raportojë BE-së për ndryshimet reale klimatike në Kosovë

Shoqëria civile do t’i raportojë BE-së për ndryshimet reale klimatike në Kosovë

Organizatat e shoqërisë civile kanë nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit për themelimin e “Grupit të Koalicionit 27”, që do të monitorojë dhe kontribuojë në procesin e harmonizimit të ligjeve të  Kosovës me ato të BE-së në fushën e ndryshimeve klimatike.

Krenare Salihu nga Organizata Botërore për ruajtje të Natyrës (WWF), tha se një organizim i tillë është shumë i rëndësishëm pasi një raportim i tillë do t’i ndihmojë shumë Kosovës për përmirësimin e ndryshimeve klimatike.


“Një grup i organizatave të shoqërisë civile janë bashkuar për të raportuar për kapitullin 27 për ndryshimet klimatike dhe mjedisin. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për Kosovën… Raportimi i tillë i shoqërisë civile do t’i ndihmojë shumë Kosovës në përmirësimin e gjendjes së ndryshimeve klimatike, duke pasur parasysh që ndryshimet klimatike janë një temë që po i shohim dhe po i prekim çdo ditë në vendin tonë. Ne do të bëjmë raportime vjetore ku do t’i prekim edhe nënkapitujt tjerë të kapitullit 27… Në Bashkimin Evropian do ta japim një pasqyrë të gjendjes reale të këtyre çështjeve, të mbrojtjes së mjedisit, ndryshimeve klimatike, energjisë e të tjera”, tha ajo.

Kurse, Dardan Abazi nga INDEP, tha se në këtë mënyrë janë angazhuar për zhvillim të qëndrueshëm. Ai tha se koalicioni 27 është një grup i përbërë prej fushave të cilat nevojiten si instrumente në mënyrë që të shtyhet përpara agjenda e gjelbër.

“Ky grup është një përpjekje e përbashkët, për kapitullin e 27, por jo vetëm, por si një përpjekje e përbashkët  e shoqërisë civile për të bashkuar forcat për të përçuar një zë të fuqishëm tek institucionet, që agjenda e mbrojtjes së mjedisit dhe vlera që përçon ky kapitull i procesit të integrimit do të jenë ato që ne mendojmë që duhet ta përcaktojnë edhe agjendën e politikave publike në vitet dhe dekadat e ardhshme… Me shërbyer kjo si një parapërgatitje për Kosovën kur të vijë koha që të hapim kapitujt e integrimit”, tha Abazi.

Lexo edhe

Video