Shoqata e Matematikanëve të Kosovës pranon çmimin “Evropiani i Vitit”

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës pranon çmimin “Evropiani i Vitit”

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka pranuar çmimin “Evropiani i vitit”, çmim ky që ndahet nga Bashkimi Evropian(BE) në Kosovë, çdo vit në shënim të Ditës së Evropës. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit u tha se të rinjtë e Kosovës kanë potencial për të qenë konkurrent në botën e shkencës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha aftësitë e të rinjve të Kosovës dallohen mjaftë mirë në shkencë e teknologji informative.

“Matematika ishte prej temave të mija të preferuara, prandaj jam shumë i kënaqur që publiku i Kosovës e ka pranuar këtë si temë të rëndësishme, një gjë që po ashtu mund t’i bëjë të rinjtë e Kosovës konkurrent në botën e shkencës. Shohim njerëzit që shkojnë vërtetë në universitetet më të mira të botës, gjithashtu kam takuar disa njerëz që kanë bërë punë të teknologjisë informative tregon të rinjtë e Kosovës sa të aftë janë”, tha ai.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se përveç artistëve dhe sportistëve të Kosovës që kanë dëshmuar suksese në botë, tashmë potenciali po tregohet edhe përmes matematicientëve.


“Mendoj që edhe ju ndjeheni rehat kur e shihni që çmimi u ka shkuar të rinjve dhe atyre që na e zbardhin fytyrën. Ne jemi mësuar me dalë jashtë me befasu Evropën me këngëtarë shumë të famshëm, me artista të famshëm, artista të famshëm, regjisorë, sportista, por tash me matematicientë mendoj që Evropa e ka pa se çfarë potenciali ka në Kosovë”, tha Bislimi.

Çmimin e ka pranuar kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Armend Shabani.

“Pothuajse i tërë populli i Kosovës e meriton çmimin ‘Evropiani i vitit’ nga mënyra dhe dëshirat e tyre për t’u bashkuar dhe për të qenë pjesë e gjeografisë së Evropës, ne kemi marrë këtë mesazh që të jetë si mesazh për të vazhduar punën tonë, për me i ngritë kapacitetet tona dhe besojmë që edhe ky mesazh që do të transmetohet në vendet tuaja, në vendet e unionit Europian do të jetë më shumë si një mesazh që do t’i përkrahë të rinjtë, do t’i përkrahë studentët, do t’i përkrahë hulumtuesit dhe do t’i përkrahë gjithë popullin e Kosovës”, tha Shabani.

Këtë vit, gjashtë studentë kanë përfaqësuar Kosovën në olimpiadën e 62-të ndërkombëtare te matematikës.

Gjithashtu katër nxënëse e kanë përfaqësuar Kosovën në olimpiadën evropiane të matematikës për vajza.

Lexo edhe

Video

error: