Shkuarja në shtrat në kohë të caktuara, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Shkuarja në shtrat në kohë të caktuara, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Të shkoni në shtrat shumë herët ose shumë vonë mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin tuaj, mbi të gjitha mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti Exeter, të shkoni në shtrat midis orës 22:00 dhe 23:00 është koha më e mirë dhe mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Shkuarja në shtrat në mesnatë ose më vonë lidhet me një rrezik 25 për qind më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa ka një rrezik 12 për qind më të lartë tek ata që shkojnë në shtrat para orës 22:00.

Studimi përfshiu 88.026 njerëz në studim nga viti 2006 deri 2010. Mosha mesatare ishte 61-vjeç, me një diapazon nga 43 deri në 79, prej tyre 58 për qind ishin gra.


Gjatë kësaj kohe, 3.172 pjesëmarrës zhvilluan sëmundje kardiovaskulare, me incidencën më të lartë tek ata që shkonin në shtrat në mesnatë ose më vonë dhe më e ulëta tek ata që shkonin në shtrat midis orës 22:00 dhe 23:00.

Autori i studimit, David Plans nga Universiteti i Exeter tha se “trupi ka një orë të brendshme 24-orëshe, të quajtur ritmi cirkadian, i cili ndihmon në rregullimin e funksionimit fizik dhe mendor”.

“Rezultatet sugjerojnë se të shkosh në shtrat herët ose vonë ka më shumë gjasa të prishë orën e trupit, me pasoja negative për shëndetin kardiovaskular. Studimi ynë tregon se koha optimale për të fjetur është në një pikë të caktuar të ciklit 24-orësh të trupit dhe se devijimet mund të jenë të dëmshme për shëndetin”, tha ai.

Koha më e rrezikshme, sipas studimit, ishte pas mesnatës, potencialisht pasi mund të zvogëlojë gjasat për të parë dritën e mëngjesit duke rivendosur orën e trupit.

Hulumtimi zbuloi një lidhje më të fortë midis të shkuarit në shtrat dhe sëmundjeve kardiovaskulare te gratë. Plans tha se mund të ketë një ndryshim në gjini për shkak të reagimit të sistemit endokrin ndaj çrregullimeve të ritmit cirkadian.

Lexo edhe

Video