Shkolla e artit pamor prezanton 50 punimet e nxënësve përmes ekspozitës virtuale

Shkolla e artit pamor prezanton 50 punimet e nxënësve përmes ekspozitës virtuale

Nxënësit e shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, kanë realizuar në mbrëmjen e së premtes ekspozitën kolektive në formë virtuale “Quarantine”, në të cilën janë paraqitur 50 punime të ndryshme.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica, ka thënë se kjo është ekspozita e parë e kësaj natyre në Kosovë.

“Vlerësojmë angazhimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit menaxherial për punën e tyre në këtë kohë të Covid-19. Nxënësit e Gjilanit janë dëshmuar tashmë në fushën e artit dhe jam i lumtur që jemi kampion në nivel vendi me aplikimin e mësimit online”, ka deklaruar Gagica.


Drejtori i kësaj shkolle, Roland Masurica, po ndjehet krenar me nxënësit dhe mësimdhënësit, të cilët realizuan ekspozitën e parë në Kosovë të kësaj natyre.

“Kushtet e ‘karantinimit’ shpërfaqën një fenomen i cili i mobilizoi vlerat humane të artistëve, e bashkë me to edhe nevojën për t’i jetësuar ato prirje në forma të ndryshme kreative. Pra, në këto kushte të vetëizolimit, nxënësit tanë po gjejnë frymëzimin për të shprehur kreativitetin e tyre artistik, dhe qëllimi i tyre është të përçojë reprezentimin vizual përmes: videos, pikturës, vizatimit, grafikës, ilustrimit etj.”, ka thënë Masurica.

Kryetari i aktivit profesional , prof. Jeton Rexhepi, ka theksuar se se rëndësia  e artit dixhital është vlerësuese në të gjitha  llojet e artit, prodhimi dhe prezantimi i të cilave përfshinë në mënyrë thelbësore përpunimin e kompjuterit.

“Ky izolim në distancë, lidh  audiencën me  artin, e kjo na bënë me dije se imazhet dixhitale  dhe teknologjitë e bërjes së tingullit janë duke ndryshuar rrënjësisht kuptimin tonë për artin. Është kjo një mënyrë e re për ta provuar botën si të papërcaktuar dhe fragmentare dhe një ndarje të kufijve tradicionalë mes artistit dhe audiencës, veprës artistike dhe procesit artisti”, u shpreh ai.

Lexo edhe

Video

error: