Shkencëtarët: Mikroplastika ka hyrë në trupin tonë, pasojat janë të paqarta

Shkencëtarët: Mikroplastika ka hyrë në trupin tonë, pasojat janë të paqarta

Nga thellësitë e oqeanit e deri në lartësitë e maleve, njerëzit po e ndotin planetin me grimca të imta plastike dhe në trupin tonë kanë hyrë edhe mikroplastika, me pasoja të paqarta, paralajmërojnë shkencëtarët.

Pamjet e ndotjes nga plastika janë bërë të zakonshme: një breshkë deti që u mbyt për shkak të qeses së hedhur, shishe plastike uji që mbulojnë plazhet tona dhe të gjithë tashmë janë mësuar me “Ishullin e Madh të Plehrave të Paqësorit”, një grumbullim monstruoz i mbeturinave lundruese që mbulojnë sipërfaqe 1.6 milionë kilometra katrorë.

“Ishulli” ndodhet midis Kalifornisë dhe Hawait dhe është më i madhi nga pesë zonat e akumulimit të oqeanit ku grumbullohen mbetjet për shkak të rrymave oqeanike. Në zonë lundrojnë 80 mijë tonë plastikë, përmban gjithsej 1.8 trilionë objekte të madhësive të ndryshme dhe 99 për qind e mbetjeve janë plastike.

“Dhjetë vjet më parë, ne nuk mund ta imagjinonim se mund të kishte kaq shumë mikroplastikë, të padukshëm për syrin e njeriut dhe se do të ishte gjithandej rreth nesh,” tha Jean-Francois Ghiglione, një studiues në Laboratorin e Oqeanografisë Mikrobiologjike në Francë.

“Dhe as që mund ta imagjinonim se do ta gjenim në trupin e njeriut”, shtoi shkencëtari.

Tani, paralajmëron Ghiglione, po zbulohet gjithnjë e më shumë mikroplastikë në organet e njeriut, përfshirë mushkëritë, shpretkën, veshkat dhe madje edhe në placentë.

Nuk duhet të jetë çudi që ne thithim këto grimca që janë gjithashtu të pranishme në ajër, veçanërisht mikrofibrat nga veshjet sintetike.

“Ne e dimë se mikroplastika është në ajër, ne e dimë se ato janë gjithandej rreth nesh,” tha Laura Sadofsky, nga Shkolla Mjekësore Hull York në Britaninë e Madhe.

Ekipi i saj gjeti polipropilen dhe PET (Polyethylene Teraphthalate) në indet e mushkërive, duke përcaktuar se fibrat vinin nga pëlhura sintetike. Në muajin mars, gjurmët e para të PET u gjetën edhe në gjak.

Duke marrë parasysh mostrën e vogël të vullnetarëve, shkencëtarët besojnë se është shumë herët për të nxjerrë përfundime, por ata ndajnë frikën se nëse plastika është në qarkullimin e gjakut, ajo mund të arrijë të gjitha organet.


Në vitin 2021, shkencëtarët gjetën edhe mikroplastikë në placentë, duke shprehur “shqetësim të madh” për pasojat e mundshme për zhvillimin e fetusit.

Megjithatë, shqetësimi nuk është i njëjtë me rrezikun e provuar.

“Është potencialisht një problem i madh, por ne nuk kemi prova shkencore për të konfirmuar me siguri se cilat janë efektet, nëse ka”, tha Bart Koelmans, një profesor pranë Universitetit Wageningen.

Në vitin 2019, WWF publikoi një raport tronditës ku thuhej se njerëzit konsumojnë dhe thithin deri në pesë gramë plastikë në javë për vite me radhë, të mjaftueshme për të bërë një kartë bankare.

Koelmans, i cili kundërshton metodologjinë dhe rezultatet e studimit, llogariti se sasia javore është më afër një kokërr kripe, por që “akumulohet gjatë gjithë jetës”.

Ndërsa kërkime të plota mbi njerëzit nuk janë kryer ende, efektet toksike të mikroplastikës te kafshët rritin frikën tonë.

“Mikroplastika e padukshme për sytë tanë ka efekte shkatërruese në të gjitha kafshët që kemi studiuar në det dhe në tokë”, tha Ghiglione.

Ai paralajmëron se një mori kimikatesh që gjenden në këto materiale, duke përfshirë ngjyrat artificiale, stabilizuesit dhe retardantët e flakës, mund të ndikojnë negativisht në rritjen, metabolizmin, sheqerin në gjak, presionin e gjakut dhe shëndetin riprodhues.

Në fillim të këtij viti, OKB filloi punën për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme për të luftuar plastikën si një plagë globale.

Në vitin 2019 janë përdorur 460 milionë tonë plastikë, dy herë më shumë se 20 vjet më parë. Më pak se 10 për qind riciklohet.

Prodhimi vjetor i plastikës nga lëndët djegëse fosile mund të arrijë në 1.2 miliard tonë deri në vitin 2060, me mbetje që tejkalojnë një miliard ton, paralajmëroi Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) muajin e kaluar.

Lexo edhe

Video