Shkarkohet Lavdim Krasniqi, ish-drejtor i Sekretariatit të KPK-së

Shkarkohet Lavdim Krasniqi, ish-drejtor i Sekretariatit të KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka zhvilluar mbledhjen e 202-të me radhë, e cila është mbajtur online dhe në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19, me ç’rast janë marrë vendime lidhur me pikat e rendit të ditës.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, gjatë këtij takimi është diskutuar dhe aprovuar Raporti gjashtëmujor i mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën janar-qershor 2021.

 Gjithashtu KPK njofton se po në këtë takim, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë shqyrtuar dhe aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit për shpalljen e brendshme për avancim të dy pozitave në Departamentin për Krime të Rënda.

 Po ashtu, anëtari i KPK-së, Agron Beka, para anëtarëve të Këshillit ka prezantuar Raportin e Komisionit përzgjedhës për pozitën e Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, me ç’rast ka njoftuar anëtarët e Këshillit se ky Komision ka vendosur në mënyrë unanime që të anulohet procesi për zgjedhjen e Drejtorit të NJSHPP-së deri në nxjerrjen e një rregulloreje të re.


 Anëtarët e KPK-së kanë trajtuar dhe aprovuar Kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e Prokurorit, Zejnullah Gashi, për Udhëheqës të Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj Prokurorie.

 Si pikë e rendit të ditë ishte edhe trajtimi i Raportit të Komisionit Disiplinor për rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së, Lavdim Krasniqi (i suspenduar), me ç’rast Komisioni i ka propozuar Këshillit që ndaj të njëjtit të shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës, gjë për të cilën anëtarët e KPK-së, kanë miratuar propozimin e Komisionit Disiplinor. 

Ditë më parë Prokuroria Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit ish drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, një personit tjetër me inicialet A.K ish shoferit, Marigona Berishës ish zyrtares së lartë të KPK-së si dhe ndaj një personi tjetër me inicialet F.D.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Lavdim Krasniqi dhe shoferi A.K., nga janari i vitit 2018 e në vazhdimësi, në bashkëkryerje, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjerët nga personi me inicialet B.M., me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin.

Me këto veprime sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Lexo edhe

Video

error: