Shkarkimi, Daka: Nesër do të dërgoj kërkesë tek Avokati i Popullit

Shkarkimi, Daka: Nesër do të dërgoj kërkesë tek Avokati i Popullit

Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka nesër do të dërgojë një kërkesë tek Avokati i Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja Vjosa Osmani, në mënyrë që ky institucion më pas të mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në emër të saj.

Ajo në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, tha se nuk po e kërcënon presidenten Osmani duke thënë se do t’i drejtohet Kushtetueses, por dëshiron që të zgjidhet dilema nëse e para e vendit mund ta shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar, por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim. Nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës, por është në pyetje një institucion i pavarur dhe që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”, tha Daka.


Daka ka thënë pasi Avokati i Popullit ta shqyrtojë kërkesën e saj, do ta vlerësojë nëse e njëjta ka bazë që të dërgohet në Kushtetuese ose jo.

Ndryshe, Valdete Daka u shkarkua nga pozita e kreut të KQZ-së në qershor të këtij viti. Në arsyetimin e Presidencës thuhej se Kushtetuta parasheh që kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë një figurë e lartë gjyqësore, me një mandat burimor në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Në këtë vendim si arsyetim përmendet edhe fakti që KQZ është organ kushtetues dhe i pavarur, dhe se kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga gjitha institucionet relevante dhe duhet të menaxhohet nga brenda nga kryesuesi së bashku me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lexo edhe

Video

error: