Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve do t’i dërgojë mostrat për analiza në Prishtinë pa i dërguar të burgosurit

Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve do t’i dërgojë mostrat për analiza në Prishtinë pa i dërguar të burgosurit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka lavdëruar Shërbimin Korrektues të Kosovës në luftë kundër pandemisë, derisa ka njoftuar se Shërbimin Shëndetësorë i Burgjeve ka siguruar kushte që mostrat për analiza për të dyshuarit të dërgohen në Prishtinë nga ky shërbim pa pasur nevojë të dërgohen të burgosurit.

Sipas KMDLNj, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve, në koordinim dhe përkrahje të ministrive përkatëse, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka ndërmarrë masat e ngutshme që të mbrohen jetët e personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues si sigurimi i maskave mbrojtëse, dorëzave dhe materialit dezifenktues sikur dhe ka caktuar hapësira të mjaftueshme dhe të domosdoshme për vendosjen e të prekurve eventualë nga virusi COVID – 19.

“Në këtë kontekst Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve ka siguruar kushte që mostrat për analiza për të dyshuarit të dërgohen në Prishtinë nga ky Shërbim pa pasur nevojë të dërgohen të burgosurit. Nga dita e premte , me nismë të Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili ka siguruar materialin e nevojshëm, shtatë të burgosura në Qendrën Korrektuese për femra kanë filluar të qepin maska  mbrojtëse për stafin korrektues dhe për të burgosurit. Të burgosuarat e kësaj Qendre punojnë me vullnet të madh, me një orar nga ora shtatë e mëngjesit, deri në ora 22.00 dhe , deri më tani kanë qepur mbi 1000 maska mbrojtëse duke kontribuar konkretisht në mbrojtje më të madhe për të burgosurit dhe stafin korrektues. Me shtimin e numrit të të burgosurave në qepjen e maskave mbrojtëse, KMDLNj shpreson se do të sigurohen sasi të mjaftueshme për nevojat e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Këtë nismë të SHKK-ës, KMDLNj e vlerëson shumë sikur që e vlerëson punën e palodhshme të të burgosurva të cilat edhe në këto çaste të vështira bëjnë përpjekje të japin kontributin e tyre në luftë kundër pandemisë. Sipas informatave të KMDLNj-së, deri më tani nuk ka asnjë person të privuar nga liria apo nga stafi korrektues që janë të prekur nga COVID -19. KMDLNj-ën për çdo ditë e thërrasin personat e privuar nga liria, qoftë të paraburgosur apo të dënuar për t’u informuar për gjendjen dhe të drejtat që iu takojnë e që aktualisht, për shkak të situatës së emergjencës shëndetësore, nuk kanë mundësi t’i realizojnë”, thuhet në komunikatë.


KMDLNj po kërkon mirëkuptim nga personat e privuar nga liria që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës e që pastaj të punohet që të drejtat që iu janë mohuar për shkak të situatës, t’iu kompensohen.

KMDLNj vlerëson se deri më tani sjellja e të privuarve nga liria është pozitive, bashkëpunuese dhe kontribuese për tejkalimin e situatës.

KMDLNj e vlerëson shumë kontributin e drejtorëve të këtyre qendrave, stafit korrektues, administrativ dhe shëndetësorë në përpjekje të tejkalim të situatës, si dhe ndihmën që po ua japin Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.