Shënohet 30-vjetori i rënies së dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku

Shënohet 30-vjetori i rënies së dëshmorëve Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku

Sot në Malishevë, me një akademi përkujtimore, u shënua 30-vjetori i rënies së dëshmorëve të kombit, Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku, të cilët ranë në altarin e lirisë, më 30 janar të vitit 1990, në qendër të Malishevës. Po në këtë ditë, ishin plagosur edhe 11 persona të tjerë, ndërsa ishin maltretuar shumë qytetarë.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka folur për dëshmorët, Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, si dhe për rëndësinë e asaj ngjarje, pasi për herë të parë, Komuna e Malishevës, në rrugë institucionale, i ka dënuar vrasjet dhe ka kërkuar përgjegjësi nga organet kompetente për këto vrasje.

“Ishte hera e parë që organet komunale, në mënyrë të hapur ishin me protestuesit, dhe ishte hera e parë komuna reagon ndaj dhunës shtetërore të ushtruar ndaj popullatës, deri në ushtrimin e kallëzimit penal ndaj përgjegjësve për vrasjen në Malishevë”, tha kryetari Begaj, duke kujtuar ngjarjen dhe tha se vrasje të këtilla ishin bërë në shumë komuna të Kosovës, por që asnjëherë nuk kishte regjistruar ndonjë reagim i tillë.

Kryetari i degës së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Sinan Gegaj, ka kërkuar që të punohet edhe më shumë në realizimin e amanetit të dëshmorëve, ndërsa në emër të familjeve Avdyl Kryeziu ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje në 30- vjetorin e përkujtimit të dy dëshmorëve.


Më pas është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar dëshmorëve Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, ku kanë folur dhe i kanë treguar ngjarjet e asaj dite, të gjithë protagonistët, duke filluar nga familjarët, shokët, ish-udhëheqësit komunalë dhe aktivistët tjerë, të organizuar në lëvizjet e kohës.

Kryetari Begaj, në bazë të kompetencave të tij, ka ndarë mirënjohje për udhëheqësit lokalë dhe delegatët e Kuvendit të Kosovës në vitet e ‘90, me motivacionin, “për reagimin institucional në mbrojtje të të drejtave dhe jetës së qytetarëve të Malishevës”.

Me mirënjohje janë nderuar Daut Krasniqi, Rexhë Kastrati, Xhemajli Bajra-post mortum, Halit Kreziu-post mortum dhe Selim Krasniqi-post mortum, ndërsa këto mirënjohje, do t’iu jepen më vonë nga kryetari Begaj.

Me rastin e 30-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Ali Kryeziu dhe Hysni Mazreku, gjatë ditës janë bërë homazhe dhe nderime në vendin e rënies, në “Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë, para pllakës së vendosur për dy dëshmorët, si dhe në varrezat e tyre në Malishevë dhe Bubavec.

 

Lexo edhe

Video