Shënohet 22-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës, vendosen kurora lulesh pranë të rënëve në detyrë

Shënimi i 22 vjetorit të Policisë së Kosovës ka nisur me vendosjen e luleve pranë lapidarit të të rënëve në krye të detyrës. Ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Policisë së Kosovës kanë nderuar policët që kanë humbur jetën në krye të detyrës, për të cilët kanë thënë se mbesin frymëzim për punën e gjeneratave të reja.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të Policisë se Kosovës, e cila po mbahet nën masat anti-Covid, ka thënë se policët që ranë në krye të detyrës duhet nderuar çdo ditë me angazhim.

“Sot ne nderuam ata por duhet kujtuar e nderuar çdo ditë me angazhim e vetmohim. Për një vit e gjysmë pandemi Policia e Kosovës ka qenë dhe mbetet në ballë të detyrës, ju falënderoj qe përkundër sfidave te mëdha nuk keni kursyer veten tuaj për mbrojtje  e shëndetit të qytetarëve”, ka thënë ai.


“Si ministër do të angazhohem që Policia e Kosovës të jetë më profesionale, me integritet të lartë dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Garantoj qe do të angazhohem që polici i Kosovës të ndjehet i vlerësuar nga shoqëria e shteti me veprime konkrete”, ka shtuar ministri i Brendshëm.

E drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kërkoi nga policët që të punojnë me profesionalizëm dhe asnjëherë mos të shkelin besimin e qytetarëve.

“Mos të shkelni kurrë besimin që qytetari na ka dhënë, punoni fort me profesionalizëm e kurajo. Në këtë ditë u drejtohem të gjithë të rinjve, të jesh pjesëtar i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari apo privilegj, bartja e uniformes së shtetit nënkupton përgjegjësi. Kujtoj zyrtarët policor që kanë renë në krye të detyrës, ata janë frymëzimi për të vazhduar përpara”, ka thënë drejtori i Policisë së Kosovës.

Lexo edhe

Video

error: