Shënohet 145-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, konsiderohet model për frymëzimin e brezave
Lajme
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot, në Prizren u mbajt manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty u tha se kjo lidhje është shndërruar në platformë të fuqishme nacionale, ka projketuar krijimin e një shteti shqiptar dhe se ka shërbyer si model i përhershëm.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh e nderuar që mund të urojë të gjithë shqiptarëve 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, siç tha ajo, pikërisht nga vendi që në kujtesën e çdo shqiptari simbolizon vendin e lidhjes së përhershme me njëri-tjetrin.

Ajo tha se Lidhja e Prizrenit ka shërbyer si model i përhershëm, nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh, dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se data e 10 qershorit i kthen gjithmonë në Prizren për të kujtuar Lidhjen Shqiptare, e cila është themeluar pikërisht më 10 qershor të vitit 1878.

Në manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kurti deklaroi se 10 qershori është në regjistrin e datave të rëndësishme siç është 28 nëntori dhe 17 shkurti.

Ai tha se 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Kurti potencoi se në kohën e Lidhjes së Prizrenit shqiptarët synonin bashkim forcash dhe avancim politik siç duam dhe ne sot.

Ai tha se vetëm të lidhur rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancohen interesat me aleatët.

Ndërsa, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.

Ndërkaq, profesori Durim Abdullahu tha se më 10 qershor të vitit 1878 në Prizren ka nisur një rrugëtim i gjatë, i cili asnjëherë nuk merr fund.

Për nder të shënimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u prezentua edhe një ekspozitë.

Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mori pjesë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministra e ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe qytetarë të shumtë të trojeve shqiptare.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Ndryshe, sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar./KosovaPress

https://kosovapress.com/admin/osmani-lidhja-e-prizrenit-ka-sherbyer-si-model-i-perhershem-per-frymezimin-e-brezave/
https://kosovapress.com/admin/kurti-vetem-te-lidhur-rreth-lidhjes-se-prizrenit-avancojme-interesat-tona-me-aleatet/
https://kosovapress.com/admin/begaj-lidhja-e-prizrenit-projektoi-krijimin-e-nje-shteti-shqiptar/
https://kosovapress.com/admin/145-vjet-nga-formimi-i-lidhjes-se-prizrenit/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024