Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së denoncoi të hënën "shkatërrimin" e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të kryesuar nga ministri i jashtëm rus.
Antonio Guterres tha para Sergei Lavrov se pushtimi rus është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe po "shkakton vuajtje masive" për popullin ukrainas.
Guterres tha se bota po përballet me “kriza të pashembullta dhe të ndërlidhura”.
"Tensionet midis fuqive të mëdha janë në një kulm historik. Po ashtu edhe rreziqet e konfliktit, nëpërmjet fatkeqësive apo llogaritjeve të gabuara," shtoi shefi i OKB-së, i ulur pranë Lavrov.
Rusia është nën sanksione nga Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Deri më sot, mijëra civilë janë vrarë në Ukrainë, miliona janë larguar nga shtëpitë dhe dhjetëra qytete janë shkatërruar./REL