Shefi i NATO-s: Ne duhet të jemi gati nëse Rusia vendos të shkojë në luftë

Shefi i NATO-s: Ne duhet të jemi gati nëse Rusia vendos të shkojë në luftë

Ka dallime të rëndësishme midis NATO-s dhe Rusisë që nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer, por të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun, tha sot sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, pas takimit të Këshillit NATO-Rusi, i cili u takua për herë të parë që nga viti 2019.

“Ky nuk ishte një takim i lehtë. Ne diskutuam situatën në Ukrainë dhe zbuluam se ka dallime të rëndësishme midis NATO-s dhe Rusisë në aspektin e sigurisë në Evropë, e cila nuk do të jetë e lehtë të kapërcehet”, tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

Stoltenberg tha se NATO i kishte propozuar Rusisë një seri takimesh për të diskutuar një sërë çështjesh të hapura të sigurisë, si kontrolli i armëve dhe vendosja e raketave, dhe se zyrtarët rusë nuk mund të jepnin një përgjigje të drejtpërdrejtë për propozimin përpara se ta studionin atë.

Ambasadorët e 30 anëtarëve të NATO-s diskutuan në Bruksel me një delegacion rus të kryesuar nga zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko në përpjekje për të lehtësuar tensionet lidhur me forcimin e ushtrisë ruse në kufirin me Ukrainën.

Këshilli NATO-Rusi u krijua në maj 2002 si një mekanizëm për konsultim dhe bashkëpunim midis dy palëve. NATO pezulloi bashkëpunimin me Rusinë në prill pas ndërhyrjes së paligjshme ushtarake ruse në Ukrainë, duke përfshirë takimet e Këshillit NATO-Rusi.

Megjithatë, për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, nga viti 2016 deri në mesin e vitit 2019 janë mbajtur disa mbledhje të atij këshilli.

Stoltenberg paralajmëroi se një pushtim rus i Ukrainës do të ishte një gabim i madh.

“Ne duhet të jemi gati nëse Rusia vendos të shkojë në luftë, për të cilën kemi shembuj në të kaluarën. Do të ishte një gabim strategjik që do të kishte pasoja të rënda”, tha Stoltenberg.


Ai shtoi se NATO mund të vendosë forca shtesë në anëtarët e saj lindorë nëse Rusia pushton Ukrainën.

“Nëse Rusia përdor edhe një herë forcën kundër Ukrainës, atëherë duhet të shqyrtojmë seriozisht nevojën për të forcuar më tej praninë tonë në pjesën lindore të Aleancës sonë”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

I pyetur nëse ekziston rreziku i një konflikti të armatosur në Evropë, Stoltenberg tha se “ekziston një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur, por se NATO do të bëjë gjithçka që mundet për ta parandaluar atë”.

Stoltenberg tha se Rusia foli në takim për propozimet e saj, të cilat i paraqiti për herë të parë muajin e kaluar, në të cilat i kërkon NATO-s të angazhohet që të mos pranojë anëtarë të rinj dhe të tërheqë forcat nga anëtarët e saj lindorë.

Ai përsëriti se këto propozime ishin të papranueshme sepse do t’i mohonin disa shteteve të drejtën për të vendosur vetë se në çfarë marrëveshje sigurie duan të jenë.

“Të gjithë aleatët e NATO-s mbështesin politikën e dyerve të hapura, e cila është e shkruar në dokumentet tona të shumta. Rusia nuk ka të drejtën e vetos për pranimin e anëtarëve të ri dhe ne nuk do të bëjmë kompromis për sovranitetin e vendeve evropiane”, tha Stoltenberg.

Ai shtoi se Rusia ka trupat e saj të dislokuara në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji, ku ata erdhën të paftuar, ku nuk janë të mirëpritur dhe u bën thirrje të tërhiqen.

Stoltenberg tha se rihapja e misionit të përhershëm të Rusisë në NATO dhe zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Moskë do të lehtësonte përgatitjet për rifillimin e dialogut.

Lexo edhe

Video