Vizita e shefit të CIA-s, William Burns në Kosovë po konsiderohet të jetë mesazh për autoritetet vendore. Analistë e ekspertë të fushës theksojnë se drejtuesi i inteligjencës amerikane ka kërkuar qasje serioze në zbatimin e asaj çfarë kërkohet tash e sa vjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tyre, shefi i ekzekutivit do të ndryshojë qasje në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Profesori universitar dhe politologu, Dritëro Arifi thotë se vizita e shefit të CIA-s në Ballkan, është porosi që të mos lejohet ndikimi i shteteve të treta, si Rusia e Kina.Se shefi i CIA-s ka ardhur me mesazhe të qarta, e thotë edhe analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, i cili shton se shteti ka para vetës sfida.
E eksperti i sigurisë në Shqipëri, Faik Basha konsideron se vizita e drejtuesit të inteligjencës amerikane do e ndihmojë vendimmarrjen amerikane për të krijuar ide më të qartë për situatën në rajon.Kryeministri Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtorin e CIA-s, William Burns, ku më pas u tha se kjo vizitë përfaqëson moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës së tij dy-ditore në Kosovë, Burns u prit në takim dje edhe nga presidentja, Vjosa Osmani.