Shefi i Bankës Botërore paralajmëron për recesion global

Shefi i Bankës Botërore paralajmëron për recesion global

Udhëheqësi i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë recesion global, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ai ka thënë në një takim me bizneset në Shtetet e Bashkuara se është e vështirë “të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”.

Sipas tij edhe disa seri të masave izoluese në Kinë janë duke shtuar shqetësimet për situatën ekonomike.

Komentet e tij përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.

“Teksa shikojmë bruto-prodhimin e brendshëm (GDP)… është e vështirë të shohim shmangie të recesionit”, ka thënë Malpass, pa dhënë detaje tjera.

“Vetëm ideja e dyfishimit të çmimeve të energjisë, mjafton për të nxitur recesionin”, ka shtuar ai.


Muajin e kaluar, Banka Botërore ka zvogëluar parashikimet për rritje ekonomike këtë vit, në 3.2 për qind.

Bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) është masë për të matur rritjen ekonomike dhe ndër mënyrat më të rëndësishme për të matur sa mirë apo keq është duke performuar një ekonomi, dhe vëzhgohet nga afër prej ekonomistëve dhe bankave.

GDP po ashtu u ndihmon bizneseve të vlerësojnë se kur duhet të zgjerohen, të rekrutojnë më shumë punëtorë, apo të investojnë më pak dhe të zvogëlojnë fuqinë punëtore.

Qeveritë po ashtu e përdorin GDP-në për të marrë vendime për gjithçka, duke nisur nga taksat e deri te shpenzimet, derisa bankave u ndihmon të marrin vendime se kur të rritin apo të ulin normat e interesit.

Malpass ka thënë se shumë vende evropiane janë ende shumë të varura nga nafta dhe gazi rus.

Ai ka bërë këto deklarata, pavarësisht se disa shtete të Perëndimit kanë bërë plane për të zvogëluar varësinë nga energjia ruse./REL/

Lexo edhe

Video