SHBA vendosi sanksione ndaj kryeministrit të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës

SHBA vendosi sanksione ndaj kryeministrit të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës

Zyra për Asetet e Huaja në Ministrinë e Financave të SHBA-së ka vendosur sanksione ndaj dy individëve dhe një personi juridik nga Bosnja dhe Hercegovina, duke përfshirë kryeministrin e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës Fadil Novaliq, u njoftua në faqen e internetit të ministrisë.

Në njoftim thuhet se ndaj Novaliq-it janë vendosur sanksione për shkak të keqpërdorimit të të dhënave për pensionistët në dobi të një partie politike, në kundërshtim me ligjin e BeH-së.

Përveç Novaliq-it, sanksione u vendosën edhe ndaj Slobodan Stankoviq-it, një prej njerëzve më të pasur në BeH dhe pronarit të vjetër të kompanisë “Integral inzhenjering A.D. Laktashi”, pasi siç thuhet, Stankoviq dhe kompania e tij janë të lidhur me korrupsion në fushën e ndërtimit.


Ministria amerikane bën me dije se “Integral” ka marrë disa nga projektet më të mëdha në Republikën Serbe, për shkak të, siç njoftuan, lidhjeve të ngushta me anëtarin serb të Presidencës së BeH-së, Milorad Dodik.

Zyra e Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së thotë se kompanisë së Stankoviq-it shpesh iu dhanë projekte pa konkurrencë të drejtë dhe të hapur, dhe se pjesa më e madhe e pasurisë së tij përbëhet nga paratë publike.

Në njoftim shtohet se këto masa, së bashku me sanksionet e vendosura më parë, tregojnë vullnetin e SHBA-së për të “thirrur në llogari ata që gjenerojnë aktivitete përçarëse dhe destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”.

Lexo edhe

Video