SHBA paralajmëron bojkot diplomatik ndaj Lojërave Olimpike Pekini 2022

SHBA paralajmëron bojkot diplomatik ndaj Lojërave Olimpike Pekini 2022

Shtetet e Bashkuara thanë sot se nuk do të dërgojnë zyrtarë qeveritarë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin (4-20 shkurt 2022), pas së cilës Kina premtoi “kundërmasa” të paqarta kundër një bojkoti të tillë diplomatik.

Presidenti Joe Biden tha muajin e kaluar se ai po konsideronte një bojkot të tillë diplomatik, duke dashur të nënvizonte kritikat për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë, duke përfshirë atë që Uashingtoni e quan “gjenocid kundër pakicës myslimane në rajonin perëndimor të Kinës Xinjiang”.

“Administrata Biden nuk do të dërgojë asnjë përfaqësi diplomatike apo zyrtare në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Paraolimpike 2022 në Pekin për shkak të gjenocidit në Republikën Popullore të Kinës dhe krimeve kundër njerëzimit në Xinjiang dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Një bojkot diplomatik, i shkaktuar nga disa anëtarë të Kongresit të SHBA nuk do të ndikojë në praninë e atletëve amerikanë, shtoi ajo.


“Sportistët në ekipin e SHBA-së kanë mbështetjen tonë të plotë. Ne do të jemi njëqind për qind me ta ndërsa brohorasim në shtëpitë tona.”

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha në një konferencë më herët në Pekin se ata që bënin thirrje për bojkot “mburreshin” dhe duhet të ndalonin “për të mos ndikuar në dialogun dhe bashkëpunimin midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në fusha të rëndësishme”.

“Nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për të ruajtur me vetëdije këtë drejtim, Kina do të marrë kundërmasa vendimtare”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara duhet të jenë nikoqire e Lojërave Olimpike të Los Anxhelosit 2028, gjë që ngre pyetjen se si mund të përgjigjet Kina ndërkohë.

Lexo edhe

Video

error: