SHBA padit oligarkun rus të lidhur me financimin e separatistëve në Krime

SHBA padit oligarkun rus të lidhur me financimin e separatistëve në Krime

Shtetet e Bashkuara kanë paditur oligarkun rus, Konstantin Malofeyev për shkelje të sanksioneve të SHBA-së.

Miliarderi rus dhe themeluesi dhe pronari i kanalit televiziv Tsargrad ishte sanksionuar më parë nga Shtetet e Bashkuara për pjesëmarrjen e tij në aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga Rusia në vitin 2014 dhe mbështetjen e tij publike për separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland tha më 6 prill se Malofeyev ishte identifikuar si një burim financimi për rusët që promovonin separatistët dhe se ofronte mbështetje për të ashtuquajturën Republikën Popullore të Donjeckut në Ukrainën lindore.


Garland tha se Malofeyev u përpoq t’u shmangej sanksioneve duke përdorur bashkëpunëtorë për të “marrë dhe drejtuar në mënyrë të fshehtë organet e mediave në të gjithë Evropën.”

Malofeyev, 47 vjeç, akuzohet për shkeljen e sanksioneve të SHBA-së në lidhje me punësimin e tij të shtetasit amerikan Jack Hanick për të operuar rrjetet televizive në Rusi dhe Greqi dhe në përpjekje për të blerë një rrjet televiziv në Bullgari, tha Departamenti i Drejtësisë në një njoftim për shtyp.

Malofeyev gjithashtu komplotoi me Hanick dhe të tjerë për të transferuar në mënyrë të paligjshme një investim prej 10 milionë dollarësh që Malofeyev bëri në një bankë amerikane te një bashkëpunëtor biznesi në Greqi në shkelje të sanksioneve.

Malofejev mbetet i lirë dhe besohet se ndodhet në Rusi./REL/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.