SHBA: Kosova vendos si shtet sovran, por shpresuam se qeveria do ta lejonte referendumin

SHBA: Kosova vendos si shtet sovran, por shpresuam se qeveria do ta lejonte referendumin

Ambasadori i Misionit të SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, deklaroi sot se SHBA ka qëndrim të qartë sa i përket të drejtës që Kosova si shtet i pavarur dhe sovran të përcaktojë kushtet për organizimin e zgjedhjeve të shteteve të tjera në territorin e saj.

Në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të Ministrave të OSBE-së, Carpenter theksoi se kanë shpresuar që Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme që të lejojë OSBE-në t’i mbledhë votat edhe për referendumin e Serbisë më 16 janar.

“Le të jemi të qartë për pozicionin e SHBA-së mbi të drejtat e Kosovës që si një shtet sovran dhe i pavarur të përcaktojë kushtet përmes të cilave zgjedhjet e shteteve të tjera të zhvillohen në territorin e saj. Ne shpresuam që Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi që të mos e bënte këtë”, ka thënë Carpenter.


Carpenter ka thënë se mezi presin të diskutojnë me Qeverinë e Kosovës dhe  Qeverinë e Serbisë për aranzhimet dhe akomodimet që mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre.

“Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi (OSBE) dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë. Ne vazhdojmë të inkurajojmë qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kundërshtoi mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë edhe në Kosovë, ndërsa Kuvendi miratoi një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.

Lexo edhe

Video