ShBA kërkon që Kosova dhe Serbia të fillojnë menjëherë zbatimin e marrëveshjes

ShBA kërkon që Kosova dhe Serbia të fillojnë menjëherë zbatimin e marrëveshjes

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier është shprehur se të shtunën në Ohër është arritur marrëveshje e rëndësishme.

Hovenier ka theksuar se ShBA do të ofrojë përkrahje të plotë për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


“Një marrëveshje e rëndësishme është arritur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë përkrahje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve në përputhje me angazhimet tona afatgjata për të avancuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit.”, ka shkruar ai në Twitter.

Hovenier ka shpërndarë postimin e Departamentit Evropian të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, në të cilin është kërkuar që Kosova dhe Serbia të fillojnë menjëherë zbatimin e marrëveshjes për mormalizimin e marrëdhënieve.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./KosovaPress

Lexo edhe

Video