Ambasada amerikane në Prishtinë sërish i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, Ambasada amerikane tha se vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka të bëjë me sundimin e ligjit, “jo me etninë, politikën apo fenë”.
Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.
Pavarësisht se vendimet e Kushtetueses – si instanca më gjyqësore në Kosovë – janë të formës së prerë dhe obliguese për të gjitha palët, ligji nuk parasheh “dënim” për mosbindje ndaj vendimeve të kësaj gjykate.
“Vonesat e vazhdueshme të zbatimit të ligjit vënë në pikëpyetje zotimin e Kosovës për drejtësi të barabartë, llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave pronësore”, tha Ambasada.
Autoritet në Deçan refuzojnë që t’i lejojnë ministrit që të regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.
Mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Që të dy kanë argumentuar se vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.
Më 9 tetor, Kurti përsëriti qëndrimin e mëhershëm, por edhe shfaqi shpresën se çështja e Manastirit të Deçanit “mund të zgjidhet me dialog”.
“Paraardhësit e mi janë takuar (me Sava Janjiqin), por me mua nuk duan të takohen. Kam kërkuar takim, por më kanë refuzuar. Besoj që me dialog mund t’i zgjidhim problemet që kemi”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, ka deklaruar se “duhet pasur shumë kujdes me precedentin që krijohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e Manastirit të Deçanit”.
Nga Manastiri i Deçanit i thanë thënë REL-it se “deklaratat joprofesionale dhe politikisht ndezëse të zyrtarëve më të lartë të Kosovës kërcënojnë sigurinë e manastirit”, me pretendimin që opinionit t’ia paraqesin “sikur vetë manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.
Ata kanë shpjeguar se në vitin 1997, manastirit iu kthyen në fakt 24 nga gjithsej 700 hektarë tokë, e cila u është marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti se klerikët refuzojnë të bisedojnë me të, nga Manastiri i Deçanit thonë se ai “është i mirëpritur të vizitojë Manastirin e Deçanit nëse me vete sjell ekstraktin e pronës së manastirit nga kadastra, i cili do të tregojë qartë se trualli është regjistruar sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Ndryshe, në vitin 2021 Gjykata Kushtetuese i kishte dërguar një letër kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës e informoi për nxjerrjen e Aktvendimit për mos përmbarim lidhur me aktgjykimin e vitit 2016, sa i përket pronës së Manastirit të Deçanit.