SBAShK kërkon nga anëtarësia që ta pezullojnë grevën deri në janar

SBAShK kërkon nga anëtarësia që ta pezullojnë grevën deri në janar

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë të ditur se po kërkon mendimin e anëtarësisë për pezullimin e grevës në arsim.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se, Këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022.

“Si rezultat i mungesës së dialogut të mirëfilltë social, kërkesës së sinqertë të këshillit të prindërve që mësimdhënësit të jenë bashkë me fëmijët dhe të nis viti shkollor, për parandalimin e ndikimit të eksponentëve të qeverisë me agjendë përçarëse të kolektiveve shkollore dhe dyshimit tonë se greva sikur po i duhet Qeverisë për ta mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

Shkresa e plotë:

Në ditët e sotme mësimdhënësit janë nëpërkëmbur, dinjiteti u është cenuar, e ata historikisht janë të njohur për sakrificën e tyre përgjatë viteve. Këtë nëpërkëmbje mësimdhënësit e kanë përjetuar viteve të 90-ta, gjersa lëkura e tyre ende i mban mend qëndrimet autoritare dhe dhunën sistematike me qëllim të nënshtrimit të sistemit të arsimit. Që nga paslufta, përgjatë muajit të kaluar, është hera e parë që mësimdhënësit e përjetuan të njëjtën situatë. Ule dinjitetin e mësimdhënësve dhe do të kesh popull të nënshtruar dhe pa mendim kritik.

Qeveria inatçore vazhdoi me nëpërkëmbjen e mësimdhënësve, duke na quajtur jo vetëm analfabetë por edhe ‘të shitur’ të agjendave armiqësore madje edhe vegla të partive opozitare, që është orvatje patetike dhe infantile. Qeveria tregoi se nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit përmes angazhimit cilësor dhe të dinjitetshëm të mësimdhënësve.

Si rezultat i mungesës së dialogut të mirëfilltë social, kërkesës së sinqertë të këshillit të prindërve që mësimdhënësit të jenë bashkë me fëmijët dhe të nis viti shkollor, për parandalimin e ndikimit të eksponentëve të qeverisë me agjendë përçarëse të kolektiveve shkollore dhe dyshimit tonë se greva sikur po i duhet Qeverisë për ta mbajtur vëmendjen e opinionit drejt grevës. Duke parë se pas gjithë përpjekjeve tona që të kemi dialog të mirëfilltë e të gjejmë zgjidhje të kërkesave legjitime, Qeveria vazhdon qasjen e gabuar dhe pas angazhimit edhe të njerëzve me autoritet dhe ardhjes së drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) që ishte zë i grevistëve dhe solli kërkesa në emër të 11 milionë kolegëve nga e tërë Evropa që të realizohen kërkesat legjitime të grevistëve, por Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmoi se nuk do të zgjidh kërkesat e grevistëve.


Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022.

SBAShK do t’i vazhdojë orvatjet që mësimdhënësve t’iu rikthehet dinjiteti përmes dialogut social me qeverinë ashtu që të përmbushen kushtet themelore, të:

1) mbështetjes shtesë të pagës deri në zbatimin e Ligjit për Pagat dhe sipas rritjes ekonomike

përfshirë shkallën e inflacionit;

2) plotësim ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L 131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti,

për ta hequr kriterin e 15 viteve kontributdhënëse,

3) plotësim ndryshimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore

Lexo edhe

Video