Shala: Në seancë ka shumë redaktime, nuk e di si do të më mbrojë avokati
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitares së dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, e ka pyetur atë nëse burri i saj i kishte përmendur ndonjëherë diçka për trafikim organesh apo për një shtëpi të verdhë në Shqipëri dhe dëshmitarja e ka mohuar një gjë të tillë.

Dëshmitarja e mbrojtur e ZPS-së është përgjigjur rreth ngjarjeve të vitit 1999 kur sipas saj burri i saj ishte kidnapuar dhe dërguar në një fabrikë metali në Kukës.

Ajo ka thënë se atje, burri i saj ishte keqtrajtuar për gati dy javë nga Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi dhe persona të tjerë, ndër të cilët edhe Pjetër Shala i cili aktualisht është në bankën e të akuzuarit.

Dëshmitarja ka thënë se Pjetër Shala ishte në mesin e personave që në maj të vitit 1998 kishin shkuar të shtëpia e saj me kërkesën për dorëzimin e armëve.

Këtë, ajo ka thënë se burri i saj e kishte kuptuar nga fqinjët dhe sipas saj Shala ishte personi që mbanë një minahedhës në dorë.

Pas përfundimit të pyetjeve nga mbrojtja e Shalës, anëtarët e turpit gjykues e kanë pyetur dëshmitaren rreth deklaratave të saj për fabrikën e metalit në Kukës si dhe mënyrës se si ka mësuar për personat për të cilët pretendon se e kanë keqtrajtuar burrin e saj.

Dëshmitarja ka thënë se është njoftuar nga burri i saj se përveç tij, në fabrikën e metalit ka pasur edhe të ndaluar të tjerë.

Megjithatë, ajo nuk ka dhënë një numër rreth këtyre personave.

Në fund të kësaj dëshmie, kryetarja e turpit gjykues e ka pyetur Pjetër Shalën nëse ka arritur të ndjek gjithë seancën nga qendra e paraburgimit.

“Unë po, por publiku jo sepse është shumë e redaktuar, e tërë pyetjet e avokatit tim kanë qenë të ndaluara, nuk e di si ka më mbrojë avokati mua kur nuk dëgjohet”, ka thënë Shala.

Para trupit gjykues tani ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tretë i ZPS-së, gjithashtu i mbrojtur.

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës është i dyti në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me pretendimin për krime lufte.

Në qendrën e paraburgimit në Hagë, Shala ndodhet prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024