Shala: Dy mijë raste të dhunës ndaj grave, 500 ndaj meshkujve

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala ka deklaruar se janë dy mijë raste të dhunës ndaj grave dhe 500 raste të tjera të raportuara ndaj burrave. Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar se në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje janë paraparë 140 aktivitete. Ajo ka shtuar se 15 aktivitete synojnë fuqizimin e gruas për tu shkëputur nga cikli i dhunës.

Ajo në raportimin para komisionit parlamentar ka folur për numrin e rasteve të raportuara të dhunës në familje.


“Nga raportimi që kam, përkundër dy mijë rasteve të viktimave gra, 500 prej tyre janë meshkuj. Në qoftë se shikojmë mund të konkludojmë se 1/5 e viktimave të dhunës në familje janë meshkuj”,
ka deklaruar ajo.

Derisa është diskutuar për dhunën në familje, koordinatorja nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në familje tha se Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ka qenë pjesë e programit qeverisës dhe tashmë janë përcaktuar 140 aktivitetet.

“Si rezultat i konsultimeve në fjalë, aktualisht kemi një strategji e cila 140 aktivitete. Të cilat janë të ndara në katër objektiva strategjike, të njëjtat parashihen të zbatohen në një periudhë kohore tre-vjeçare. Përkundër që strategjia daton nga viti 2022-2026, plani i veprimit është trevjeçar. Në të janë identifikuar 140 aktivitetet në fjalë. Strategjia është miratuar në qeveri në fund të muajit janar të këtij viti. Menjëherë pas miratimit të strategjisë në qeveri në zyrën time kam ndërmarrë hapa për sa i takon identifikimit në një tabelë të veçantë të të gjitha institucioneve përgjegjëse që janë bartëse të aktiviteteve të parashikuara në strategji[…]Nga 140 aktivitetet e parashikuara për periudhën trevjeçare, 34 prej tyre veçse kanë filluar të zbatohen”, ka theksuar Shala.

Ajo ka përmendur katër objektivat e strategjisë, ku tha se sfidë e zbatimit është monitorimi i zbatimit.


“Objektivi i dytë është harmonizimi i politikave dhe akteve tjera ligjore me standardet ndërkombëtare dhe me praktikat më të mira, objektivi i tretë ka të bëjë me rritjen e sigurimit e një koordinimi mes institucioneve dhe një përgjigje të drejtë të institucioneve për sa i takon rasteve të dhunës në familje dhe objektivi i katërt ka qëllim trajtimin e viktimës por edhe trajtimin e kryerësit të dhunës”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, anëtarja Tinka Kurti ka pyetur nëse po bëhen hetime për zyrtarët institucional. Zëvendësministrja Nita Shala ka thënë se në rastet kur nuk ka përgjigje adekuate nga institucionet, ftohet grupi urgjent ku prezent janë policia dhe mbrojtësi i viktimës.

Anëtarja e komisionit, Eliza Hoxha ka kërkuar që të hartojnë politika për mundësi banimi të grave ose pagesa më të ultë të tatimit.

“Mundësia e banimit është domosdoshmëri, ne mund tu gjejmë një vend pune, por nëse nuk ka strehim adekuat ai nuk mund të qëndrojë në strehimore. Këto politika duhet t’i harmonizoni me Ministrinë e Mjedisit dhe me skemat e banimit të përballueshëm. Të gjeni modalitete se si të trajtoni këto edhe nëse shteti krijon mundësi banimi për to, ata ta marrin jetën në duar të veta përmes këtij programi të emancipimit”, ka deklaruar ajo. 

Për këtë, zëvendësministrja Shala tha se është informuar nga Policia e Kosovës që janë duke u krijuar kartelat për rastet e dhunës në familje. Po ashtu, ajo theksoi se janë 15 aktivitete të cilat janë paraparë për fuqizimin ekonomik të gruas.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ka raportuar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Lexo edhe

Video