Sfida me sigurimin e teksteve shkollore, shtatë komuna pa librari
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Asociacioni i Komunave të Kosovës e cilëson si problem çështjen e shpërndarjes së teksteve shkollore, duke theksuar se janë rreth shtatë komuna që nuk kanë librari në qytetin e tyre. Klina, Hani i Elezit dhe Kaçaniku janë ndër komunat që kanë mungesë të librarive, për çka shprehen se po vështirësohet mjaftë shumë fillimi i vitit të ri shkollor.

Ndërkaq, nga drejtoria e Podujevës, e shohin si të politizuar diskutimin e temës rreth rimbursimit të mjeteve për libra nga Kolegjiumi për Arsim.

Të hënën, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bëri me dije se janë duke e shqyrtuar mundësinë e rimburimit të parave tek prindërit në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.

Në mbledhjen e mbajtur nga Asociacioni i Komunave dhe Kolegjiumi për Arsim, kryesuesja e këtij të fundit, Besianë Musmurati u shpreh se në këto kushte është e pamundur që mësimi të fillojë me një shtator, duke potencuar problemin me mungesën e librarive në disa komuna.

“Kemi edhe shumë qytete të cilat nuk kanë  librari fare, po e shoh këtu edhe drejtorin e Klinës, kemi edhe komunat e tjera, është edhe Hani i Elezit, mos gabofsha janë shtatë komuna në të cilat nuk ka fare librari dhe që do të ketë probleme logjistike me furnizim”, tha Musmurati.  

Ndërkaq, drejtori i Arsimit nga komuna e Klinës, Qemajl Sejdiu tha se Këshilli i Prindërve ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e furnizimit me libra për nxënësit, derisa tregoi se janë të  detyruar të shkojnë në Pejë për t’i blerë ato.

Po ashtu, edhe Drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina e sheh si të vonuar lajmin nga MASHT-i për rimbursimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore.

Ndërsa, Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në komunën që qeveriset nga partia Vetëvendosje në Podujevë, e lëshoi mbledhjen, duke thënë se Kolegjiumi për Arsim është i politizuar dhe vendimet e tyre vijnë nga “byrotë politike”, derisa shprehet se kjo temë nuk duhet të merret si çështje dramatike.

Ndërkaq, kryesuesja e Kolegjiumit të Arsimit, Besianë Musmurati tha se deklarata është neutrale, jo tendencioze, dhe është miratuar me shumicë votash, përveç Fetahut, për të cilin thotë se vetëm doli nga mbledhja, duke mos dhënë ndonjë propozim se çka duhej të përmbajë deklarata.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Asociacioni i Komunave të Kosovës, gjatë ditës ka njoftuar se vonesa e shpërndarjes së teksteve mësimore nga MASHT-i, pamundëson fillimin e mbarë të viti shkollor, derisa potencojnë se për ta me rëndësi është që mësimi të fillojë më 1 shtator./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024