Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë, thotë Daniel Serwer, profesor në Universitetin amerikan Johns Hopkins, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 17 dhjetorit tregojnë se Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr deri vonë nga Vuçiq, ka fituar shumicën.
Duke komentuar fitoren e Vuçiqit në raport me Kosovën, Serwer thotë se rezultati “nuk është një shenjë e mirë”për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, thotë Serwer për REL-in.
Daniel Serwer: Nuk pres që të ndryshojë diçka. Në muajt e fundit, Vuçiq ka qenë jashtëzakonisht i mbështetur te Moska dhe Pekini. Miqtë e tij më të mirë këto ditë janë autokratë. Edhe ai dëshiron të jetë i tillë. Ai është autokrat, i votuar në zgjedhje, pa konkurrencë serioze në horizont.
Radio Evropa e Lirë: Kur thoni se Serbia është një autokraci zgjedhore, a do të pajtoheshin qeveritë perëndimore me ju? Nuk i kemi dëgjuar të thonë se Serbia është autokraci zgjedhore.
Kjo nuk është mënyra se si bëhen zgjedhjet e drejta. Ka shumë abuzime që tashmë janë dokumentuar dhe pres edhe më shumë. Por, unë nuk njoh dikë në Uashington sot që do ta quante Serbinë demokraci.
“Serbia nuk është afër BE-së”
Në fakt, ai e ka sfiduar Bashkimin Evropian – jo vetëm duke i kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë, por edhe për shumë çështje të tjera, përfshirë marrëveshjet e arritura së voni me Kosovën, të cilat kryeministrja Ana Bërnabiq mohon se Serbia po i respekton.
Pra, ju mund të thoni se jeni për BE-në, por duhet edhe të silleni në atë mënyrë, dhe Vuçiq nuk po e bën këtë.
Daniel Serwer: Nuk pres shumë nga Brukseli, sepse Serbia dhe Hungaria – e cila është në BE dhe me udhëheqësin e së cilës [Viktor] Orban, Vuçiq është miqësuar – kanë një të përbashkët: udhëhiqen nga autokratë. Nuk pres që BE-ja do të arrijë një konsensus për ndonjë gjë që do të mund të ishte presion mbi Serbinë.
Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të jenë ndryshe. Nëse u kthehemi ngjarjeve të 24 shtatorit – rebelimit në veri të Kosovës që me sa duket është orkestruar nga Beogradi – do të prisja që Shtetet e Bashkuara të reagonin për këtë.
Nuk ka alternativë të menjëhershme për Vuçiqin, por mendoj se SHBA-ja do të përfitonte shumë më tepër nga Serbia nëse do të mbante një qëndrim më të ashpër, e jo të vazhdojë ta përkëdhelë.
Si do të reagojë Perëndimi ndaj zgjedhjeve?
Daniel Serwer: Nuk e di se çfarë të pres. E dini që këto, padyshim, nuk janë zgjedhje të ndershme dhe ai duhet ta thotë këtë.
Ai duhet të jetë shumë më i ashpër ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për ngjarjet e 24 shtatorit [në Banjskë]. Ai duhet t’i thotë Vuçiqit se, nëse dëshiron që [ish-nënkryetari i Listës Serbe] Millan Radoiçiq të jetë përgjegjës për ato ngjarje, atëherë duhet ta dorëzojë atë në Kosovë për gjykim.
Radio Evropa e Lirë: Ditëve të fundit, Beogradi ishte i vendosur që Radoiçiq të mos ekstradohet në Kosovë me asnjë kusht…
Daniel Serwer: Nëse ju [Serbia] pretendoni se Kosova është territor i juaji, ndërsa krimi ka ndodhur në Kosovë, atëherë duhet të jeni të gatshëm që ta dërgoni Radoiçiqin në Kosovë. Për Serbinë nuk do të ishte ekstradim.
Të gjithë kanë shumë frikë se ai [Vuçiq] do të bjerë në krahët e Xi Jinping, dhe të [presidentit rus] Vladimir Putin. Por, fakt është se ai tashmë është në krahët e tyre.
Cila është sfida e parë për Qeverinë e re?
Daniel Serwer: Unë nuk do ta dija këtë. Por, për mua kjo është një çështje e thjeshtë. Krimi ka ndodhur në territorin e Kosovës. Në Kosovë ka autoritete të njohura nga Serbia përmes Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e cila kërkon edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pra, nëse e doni Asociacionin, ju duhet t’i përmbushni detyrimet e juaja sipas marrëveshjes së 2013-ës. E, kjo do të thotë që Radoiçiq të gjykohet nga autoritetet kompetente në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi të marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – sipas jush, a do ta përshpejtojë marrëveshjen përfundimtare mes tyre ky rezultat i Partisë Përparimtare Serbe, apo do të vazhdojë trendi aktual?
Daniel Sewer: Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme.
Një opozitë “e turpshme” pro-evropiane
Radio Evropa e Lirë: Forca e dytë më e madhe në Parlamentin e Serbisë pritet të jetë lista opozitare pro-evropiane “Serbia kundër dhunës”. Sipas vlerësimeve të para, ajo do t’i ketë 64 mandate në Parlament. Deri në çfarë mase mund të jetë korrigjuese ndaj Partisë Përparimtare Serbe?
Ata e kanë kuptuar se zgjedhjet do të ishin të lira, por jo të drejta, dhe ia kanë dalë mjaft mirë në këto rrethana. Nuk mendoj se do të ishte e arsyeshme të pritej nga ta që të dilnin më mirë.
Opozita në parlament luan rol të rëndësishëm dhe shpeshherë përgatit rrugën për qeverisjen e ardhshme.
Radio Evropa e Lirë: Pse e konsideroni si opsion të turpshëm politik?
Daniel Serwer: Ata, sigurisht, janë shumë të turpshëm sa i përket Kosovës.
Ata nuk duan të thonë asgjë që do të sugjeronte se kanë një marrëdhënie më të butë ndaj Kosovës dhe se duan marrëveshje reale me Kosovën.
Ata janë, gjithashtu, të turpshëm sa u përket çështjeve ekonomike, harmonizimit në nivel ndërkombëtar, problemit të dhunës – çfarë do të bënin në të vërtetë sa i takon çështjes së dhunës dhe kulturës së dhunës në Serbi?
Serbia e sotme është autokraci. Nuk ka qenë dhjetë vjet më parë, por sot është – autokraci zgjedhore. Por, ende i ofron disa mundësi për efektivitetin e opozitës. Do të doja të shihja nëse ato shfrytëzohen ose jo.
“Anim i fortë kah Rusia”
Radio Evropa e Lirë: Befasia më e madhe e zgjedhjeve është lista e udhëhequr nga doktor Branimir Nestoroviq, i njohur për teoritë e tij konspirative. Ai do të jetë për herë të parë në Parlament. Përfaqëson një ideologji të ekstremit të djathtë, është pro-rus, lista e tij përfshin Dragan Stanojeviqin – pak i njohur në Serbi, por i përshkruar si një lojtar jashtëzakonisht pro-rus, i cili është nën sanksionet e Ukrainës. Sa rëndësi i kushtoni hyrjes së kësaj liste në Parlament?
Kjo është ajo që fitoni kur anoni kah Rusia: njerëz që e duan Rusinë, edhe pasi ajo e pushton një vend tjetër.
Logjika në këtë situatë do të ishte krejtësisht e kundërt – që Serbia të ofendohej nga pushtimi rus i Ukrainës, por nuk është kështu.
“Vuçiq ka marrë edhe hapësirën pro-ruse, edhe pro-evropiane”
Radio Evropa e Lirë: A keni pritur rezultat më të mirë nga forcat pro-evropiane në Serbi?
Askush nuk duhet të mashtrohet. Serbia nuk do të anëtarësohet së shpejti në BE, sepse Vuçiq nuk ka bërë asgjë për ta përgatitur vendin për anëtarësim në BE. Dhe, për sa kohë që politika aktuale për Kosovën është në fuqi, Serbia nuk do të hyjë në BE – kjo është shumë e qartë.
Vuçiq e kupton këtë dhe e di se anëtarësimi në BE nuk do të ndodhë së shpejti.
Ai, thjesht, dëshiron ta marrë atë hapësirë politike. Ai nuk dëshiron t’ia japë askujt tjetër. Pra, ai bën shumë deklarata që janë pro-evropiane dhe më pas nuk bën asgjë për këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë: A është befasi rezultati i dobët i Partisë Socialiste të Serbisë – partnere e deritashme e koalicionit të Partisë Përparimtare Serbe – e udhëhequr nga kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq?
Daniel Serwer: Unë mendoj se suksesi i këtij opsioni të dytë pro-rus është pjesë e shpjegimit. Ai [Ivica Daçiq], për mendimin tim, nuk është një forcë serioze politike në Serbi. Investon në partinë në pushtet. Partia e tij ka një sfond historik, por jo pavarësi të vërtetë politike. Ai me të vërtetë është si Vuçiqi, vetëm me një maskë tjetër, me një fytyrë tjetër.